Daka informon Apostolovën për përgatitjet për zgjedhjet e 6 tetorit

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme ka pritur në takim shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Sipas një komunikate për media, Daka ka informuar Apostolovën lidhur me përgatitjet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke i zhvilluar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, ambasadorja Apostolova shprehu mbështetje për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe bëri të ditur se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini e ka marrë kërkesën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dërgimin e misionit të veçantë për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, e cila kërkesë është duke u trajtuar me seriozitet të lartë.

Tutje thuhet se në emër të KQZ-së, Daka u shpreh se vëzhguesit e zgjedhjeve janë të mirëseardhur në Kosovë, pasi i ndikojnë në rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor dhe shtoi se KQZ-ja është munduar që me seriozitet të trajtojë rekomandimet e vëzhguesve të proceseve të kaluara zgjedhore.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor. Deri te zgjedhjet erdhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe vet-shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Të hënën, me 26 gusht, presidenti Thaçi shpalli 6 tetorin si ditën e zgjedhjeve.