
Burgu i Dubravës (Ilustrim)
COVID-19, nga java e ardhshme nis lehtësimi i masave nëpër burgje
Lejimi i vikendeve për të burgosurit dhe vizitat familjare brenda burgjeve të Kosovës do të fillojnë nga e hëna e javës së ardhshme.
Kështu ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës me anë të një njoftimi, duke treguar se do të fillojnë të lehtësohen masat kundër COVID-19 nëpër burgje.
“SHKK nga data 14.09.2020 do të fillojë me lejimin e vikendeve për dënuarit, e po ashtu për vizitat familjare do të lejojë dy (2) persona të rritur dhe fëmijët (fëmijët nuk kufizohen). Gjatë vizitës së tyre, secili familjar është i obliguar të dezinfektohet në hyrje të institucioneve korrektuese, e po ashtu me vete të bartë edhe maskë mbrojtëse”, ka thënë SHKK.
Tutje ata kanë shtuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin e Shëndetësor të Burgjeve.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik dhe familjarët e të burgosurve rreth hapave në vazhdim”, thuhet tutje në njoftim.
KALLXO.com ka raportuar disa herë për ndalimin e vizitave dhe vikendeve të burgosurve për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë COVID-19.