Ferizaj

COVID-19: Mbi 200 raste të dyshimta nga historiku i kontakteve në Ferizaj

Drejtori i Spitalit në Komunën e Ferizajt, Jeton Zeqiri, për KALLXO.com tha se vazhdimisht po hulumtojnë historikun e kontakteve në këtë komunë dhe deri më tani sipas tij  janë mbi 200 raste kontakti të cilat priten të testohen.

“Vazhdimisht jemi duke hulumtuar raste kontakti është numër shumë i madh, përafërsisht mbi 200 raste kontakti” , konfirmoi Zeqiri.

Ai tha se të gjitha keto raste deri sa të bëhen testimet nga Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publikë jane raste te dyshimta.

“Ato raste përmesë Institutit testohen për të parë nëse janë pozitive apo negative, por pa u vërtetuar permesë testimit ne vetëm mund të themi se janë raste të dyshimta”, u shpreh drejtori.

Tutje ai tha se problem tjetër në këtë komunë është se personat të cilët nuk kanë nevojë të hospitalizohen, por janë në vetizolim kanë filluar të kerkojnë ndihmë mjeksore.

Zeqiri tha se tani kanë marrë një vendim që bashkarisht të formojnë ekip mobil për të trajtuar këto raste.

“Tash e morëm një vendim që bashkarisht të formojmë ekip mobilë për trajnimin e rasteve që janë në shtëpi që ende nuk janë për hospitalizim,mandej faza e dytë është hospitalizimi në spitalin e Ferizajt , dhe pastaj nëse kanë nevojë për suport mekanik i dërgojmë në Prishtinë”, potencoi ai.

Në këtë komunë deri më tani janë 66 persona të infektuar nga coronavirusi, ndërsa në nivel vendi janë identifikuar 423 të infektuar, 71 të shëruar dhe 10 të vdekur.