ÇOHU! prezanton raportin "Online Media Monitor", 25 janar 2022

'ÇOHU' prezantoi raportin për monitorimin e mediave online

Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet ÇOHU!, në një tryezë të organizuar publikuan raportin me titull “Online Media Monitor”.

Sipas këtij raporti, i bërë gjatë periudhës janar 2020- dhjetor 2021, prëj 24 mediave të monitoruara janë dërguar gjithsej 145 ankesa në Këshillin e Mediave të Shkruara (KMShK).

“Nga të gjitha ankesat e dërguara në KMShK, nga ky institucion kemi pranuar 140 vendime, nga të cilat 88 prej tyre janë të miratuara dhe 52 të pa miratuara, ndërsa pesë ankesat tjera janë ende në proces të shqyrtimit”, thuhet në raport.

Prej 24 mediave të monitoruara, në raport bëhet e ditur se ndaj mediumit që ka pasur më shumë ankesa të dërguara në KMShK është Indeksonline prej 30 ankesave të dërguara, 18 apo 60% prej tyre janë miratuar; ndaj mediumit Veriu.info prej 19 ankesave të dërguara, 8 apo 42.1% prej tyre janë miratuar dhe ndaj mediumit Gazeta Express prej 18 ankesave të dërguara, 12 apo 66.6% prejt tyre janë miratuar.

Ndërkaq sipas raportit për mediat e monitoruara nga ÇOHU!, mediumet si Kosovapress, Telegrafi dhe Rajonipress nuk ka pasur asnjë ankesë të dërguar në KMShK.

Tutje në raport thuhet se  gjatë monitorimit të mediave online, ndër kapitujt me më së shumti shkelje, janë kapitulli i VII-të (Privatësia), ku prej 36 ankesave të dërguara, 26 apo 72.2% prej tyre janë miratuar; kapitulli i II-të (Raportimi i së vërtetës), ku prej 30 ankesave të dërguara, 13 apo 43.3% prej tyre janë miratuar dhe kapitulli XII (Reklamimi dhe sponzorimet), ku prej 31 ankesave të dërguara, 26 apo 80.6% prej tyre janë miratuar.

Drejtori i KMShK-së, Imer Mushkolaj për raportin “Online Media Monitor”, ka thënë se ka qenë një ndihmë e madhe për Këshillin që dikush të monitorojë përmbajtjen e disa mediave.

Mushkolaj përmendi se në mesin e mediave online të monitoruara ka qenë edhe një media serbe që është “Kossev”.

“Është interesante se 99% e vendimeve që janë marrë për median në gjuhën serbe kanë pasur të bëjnë me komentet e lexuesve, respektivisht me gjuhën e urrejtjes në komentet e lexuesve gjë që nuk ka ndodhur në mediat në gjuhën shqipe, për shkak se komentet nuk ekzistojnë në ueb faqe”, ka shprehur Mushkolaj.

Redaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi theksoi një ndër rekomandimet që ÇOHU! i ka bërë KMShK-së është mbajtja e trajnimeve me redaktorë dhe gazetarë të mediave të shkruara online.

“Normalisht, trajnimi për kryeredaktorët është mënyra më e mirë për të rritur standardin, për skak se shumica e programeve ka qenë me i trajnu gazetarët, mirëpo kur kryeredaktori të urdhëron me bo një punë të caktuar, atëherë kemi me pasë shumë problem që gazetari ka me mbërri e e bindë. Te këto trajnime po ashtu i kisha përfshi edhe pronarët e mediave”, ka thënë Gashi.

Pjesë e tryezës së diskutimit ishin edhe Drejtori i organizatës ÇOHU!, Astrit Demhsaj, monitorueset e ÇOHU!, Demira Krujezi dhe Vlora Krasniqi, Besnik Boletini dhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari.