Arbërie Nagavci

Çka është sjellje e patolerueshme e një mësimdhënësi ndaj nxënësve?

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një intervistë në ‘Kallxo Përnime’ tha se sjelljet e mësimdhënësve që ngacmojnë nxënësit janë të patolerueshme.

Ajo tha se është e shqetësuar për këtë çështje, pasi ka pranuar raportime se shumë mësimdhënës i shkruajnë nxënësve në orët e mbrëmjes në rrjete sociale me komunikime joformale.

“Janë shumë gjëra që për fat të keq në shumë raste mund të duken si të natyrshme. Unë kam pranuar me shqetësim informata që p.sh. ka mësimdhënës që komunikojmë me nxënës në rrjete të ndryshme sociale madje edhe komunikime jashtë formale në orët e mbrëmjes ose të tjera si këto dhe është e papranueshme që një mësimdhënës të marrë çfarëdo veprimi qoftë ndonjë gjest apo përqafim që mund të duket atëror nëse po flasim në një raport mësimdhënës burrë me vajzat dhe nxënëset e shkollës”, tha Nagavci.

Sipas saj, është e patolerueshme të përdoret gjuhë e cila mund të shkaktojë ndjenja apo lëndim të vajzës.

“Në të gjitha këto përveç legjislacioneve dhe protokolleve që janë shumë mirë të përcaktuara në aspekt ligjore, ne jemi duke punuar që në një forum nacional që do të kemi përfaqësues të të gjitha palëve që punojnë në këtë fushë, të sigurohemi që në radhë të parë të krijojmë ambiente miqësore dhe të sigurta për fëmijët tanë në çdo aspekt përfshirë eliminimin e të gjitha problemeve”, tha Nagavci më tej.

.