Çfarë ndodh pasi Izraeli e pushton Gazën?  

Ka një pyetje që liderët botërorë të cilët po e vizitojnë Izraelim po e bëjnë privatisht dhe, deri diku, publikisht. Sapo forcat e armatosura të Izraelit ta përfundojnë ofensivën e tyre tokësore në Gaza dhe Hamasi të shkatërrohet, çfarë synojnë të bëjnë më pas?

Deri tani ka pak përgjigje. Izraeli është i fokusuar në fazën tjetër të kësaj lufte dhe më pak në pasojat e saj.

Komandantët izraelitë i kanë finalizuar planet e tyre operacionale për ofensivën tokësore, duke ia paraqitur ato shtabit të përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit për autorizim të javën që lamë pas. Vendimi se kur të nisë sulmi do të merret nga një kabinet prej pesë anëtarësh lufte i kryesuar nga Binyamin Netanyahu.

Disa zyrtarë izraelitë e kanë kritikuar privatisht qeverinë, duke thënë se ata po detyrohen të presin shumë gjatë.

Izraeli e ka pushtuar Gazën në të kaluarën. Ishin dy periudha kryesore, të cilat filluan në vitin 1967 pas Luftës Gjashtë Ditore, në të cilën Izraeli e zëvendësoi ushtrinë egjiptiane, e cila kishte pushtuar Gazën për 19 vjet. Për 26 vitet e para, Izraeli ishte nën kontrollin total të Gazës, dhe kjo përfshinte kujdesin për të gjitha nevojat e popullsisë lokale nëpërmjet një njësie ushtarake të quajtur në mënyrë ironike “Administrata Civile”.

Në vitin 1993 Izraeli nënshkroi Marrëveshjen e Oslos me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, dhe si rezultat, ushtria e tij u largua nga qytetet dhe fshatrat, duke u zëvendësuar nga Autoriteti i ri Palestinez. Megjithatë, ajo mbeti në vendbanimet dhe bazat ushtarake hebreje. Në vitin 2005, si pjesë e Planit të Shkëputjes së Ariel Sharon, kolonët u dëbuan dhe bazat u çmontuan.

Që nga vera e vitit 2005, Izraeli nuk ka pasur prezencë në terren dhe, me përjashtim të një njësie të vogël koordinimi të ngarkuar me kalimet kufitare dhe autorizimin e furnizimeve që lëvizin brenda dhe jashtë Gazës, njësia e Administratës Civile është shpërbërë.

Zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar se marrja e përgjegjësisë për më shumë se dy milionë njerëz që jetojnë në Gaza do të ishte një detyrë masive, veçanërisht gjatë kohës së luftës. Kjo përgjegjësi do të absorbonte një sasi të madhe burimesh nga një ekonomi tashmë e kufizuar në para, dhe pothuajse të gjithë zyrtarët profesionistë që merreshin me çështjet e popullatës civile atje tani e kanë kaluar moshën e pensionit.

Një skaj i vogël i ekstremit të djathtë në shoqërinë dhe politikën izraelite – disa madje edhe në qeveri – po kërkon që vendbanimet izraelite në Gaza të rindërtohen. Orit Strok, ministri i misioneve kombëtare dhe vendbanimeve, madje ka bërë thirrje publike për këtë, duke thënë disa muaj më parë se do të ketë “sakrifica”, porse do të ndodhte. Megjithatë, kjo nuk është politikë e qeverisë dhe këtë javë Netanyahu tha se Izraeli nuk e ka ndërmend ta pushtojë Gazën në planin afatgjatë.

Nuk është ende e qartë se çfarë synon Izraeli pasi ushtria e tij t’i ketë shkatërruar aftësitë dhe udhëheqjen ushtarake të Hamasit. Disa ekspertë ushtarakë izraelitë besojnë se do t’i duhet të krijojë tampon zona sigurie, të ngjashme me ato që kishte në Libanin jugor deri në vitin 2000, në Gaza, për t’i mbrojtur komunitetet përtej kufirit. Megjithatë, kjo nuk është një zgjidhje për vakumin e rrezikshëm që do të mbetet në Gaza pasi ushtria izraelite të tërhiqet.

Zgjidhja e preferuar në shumicën e strukturave ushtarake dhe politike izraelite është kthimi i Autoritetit Palestinez, i cili e kontrollonte Gazën që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Oslos në vitin 1993 derisa Hamasi mori pushtetin në vitin 2005. Edhe pse ministrat e qeverisë nuk po flasin hapur për këtë, Yair Lapid, lideri i opozitës dhe ish-kryeministri, thanë në një takim me mediat ndërkombëtare të enjten se kjo është alternativa më e mirë për Izraelin dhe Gazën.

“Tamir Hayman, një ish-gjeneral dhe komandant i inteligjencës ushtarake të Izraelit, i cili tani është drejtor i Institutit për Studimet e Sigurisë Kombëtare në Universitetin e Tel Avivit, thotë se “për [presidentin palestinez] Mahmud Abbas, humbja e Gazës ishte fatkeqësia më e madhe e presidencës së tij dhe ai do të donte ta kthente atë. Izraeli duhet ta gjejë një mënyrë për ta krijuar një ambient që kjo të ndodhë”.

Ka pasur përpjekje të mëparshme për ta rivendosur Autoritetin Palestinez në Gaza. Në vitin 2019, Yahya Sinwar, shefi i Hamasit në Gaza, madje ra dakord për kthimin e tij. Megjithatë, një marrëveshje nuk u arrit, kryesisht për shkak se Hamasi këmbënguli në ruajtjen e arsenalit të tij masiv. Edhe duke supozuar se Izraeli mund t’i shkatërrojë të gjitha ato armë, nuk do të jetë e thjeshtë vetëm të thuhet se Autoriteti Palestinez është sërish në krye të Gazës.

“Abbas nuk mund të shihet se po kthehet me bajonetat izraelite”, thotë Ehud Barak, ish-kryeministri izraelit. “Duhet të vijë pas një periudhe të përkohshme në të cilën Izraeli largohet nga Gaza dhe ushtarët e tij zëvendësohen së pari nga një forcë paqeruajtëse arabe, e përbërë ndoshta nga ushtarë nga Maroku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe e financuar nga sauditët. Duhet të duket sikur arabët po e rikthejnë atë në pushtet në Gaza. Ai nuk do të pranojë të kthehet si bashkëpunëtor me Izraelin”.

Problemi është se regjimet arabe nuk po rreshtohen për t’i dërguar ushtarët e tyre në Gaza. Shpresa dhe pritshmëria e izraelitëve është që kur të vijë koha, të paktën një vend arab mund të bindet se ia vlen të bëhet shpëtimtari i palestinezëve./The Times

Përgatiti: Nuhi Shala