Çfarë kuptimi kishte ‘dyjavëshi’ i famshëm i Lul Rakës?

Mikrobiologu kosovar Lul Raka në intervistën për KALLXO.com ka folur edhe për deklaratën e tij të famshme se ‘dy javët e ardhshme janë vendimtare’.

Raka ka thënë se kur janë shfaqur rastet e para në Kinë, IKShPK-ja dhe QKUK-ja kanë filluar përgatitjen e draft-planit të gatishmërisë për përballjen me virusin.

“Kjo ka qenë për me përgatitë popullatën që është rrugë e gjatë, qysh në janar kam thënë se është punë e muajve, edhe pse ajo deklarata e dyjavëshit u bo hit pastaj, domethënë nuk ka qenë punë e dyjavëshit”, theksoi ai.

Raka tha se në momentin kur virusi ka pasur shtrirje të vogël në Kosovë, aty ka qenë mundësia që ‘me e godit virusin’. Sipas tij, kjo ka qenë kuptimi i ‘dyjavëshit’ të tij.

“Në momentin kur ke numër të vogël të rasteve, e ke shancën me e godit virusin. Në atë kohë njerëzit nuk e kanë marrë seriozisht, edhe këtu ka qenë ai mendimi im, që dy javët e ardhshme janë vendimtare, për me e ndalë atë përhapjen në komunitet, për atë fazën e parë. Edhe nuk e kemi shfrytzu atë”, tha ai.