Çfarë dënimi maksimal parasheh Kodi Penal për aksidentet me fatalitet?

Gjykata e Ferizajt vendosi që ta dënojë me tetë vite burg të riun, i cili shkaktoi aksident trafiku në rrugën Ferizaj – Shtime, nga ku vdiqën 5 anëtarë të një familje.

E.M po akuzohet për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik me fatalitet” nga neni 370 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Neni 370, paragrafi 5 i Kodit Penal thotë se kushdo që shkel Ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikon jetën e njerëzve, rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre 3 deri në 12 vjet.

Pra, dënimi maksimal për ketë vepër penale me Kodin Penal është 12 vjet.

Sipas vendimit të Gjykatës së Ferizaj, E. M. akuzohet se duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në kushtet e rrugës në vendbanim, si dhe duke mosrespektuar rregullat e komunikacionit tejkaloi në vijë të plotë dhe kaloi në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e ka goditur automjetin e tipit “Golf  II” , me ç`rast në këtë aksident në vendin e ngjarjes kanë vdekur 4 persona ndërsa një person në QKUK në Prishtinë, gjithashtu dy të tjerë kanë pësuar lëndime.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës së Ferizajt.

Më 6 qershor 2021, katër persona kanë vdekur në një aksident trafiku në magjistralen Ferizaj-Shtime, konkretisht në fshatin Koshare. Nga ky akisdent ishte lënduar rëndë edhe një grua, e cila nga plagët e rënda, kishte vdekur 10 ditë më pas në QKUK.

Më 1 shtator të atij viti ishte organizuar edhe një protestë në qytetin e Shtimes me moton “Duam Drejtësi” duke kërkuar drejtësi për vdekjen e 5 anëtarëve të një familje në një aksident trafiku.