Kisha ortodokse | Foto: KALLXO.com
Caktohet koha për përballjen e UP-së dhe Kishës Ortodokse në Gjykatë
Më shumë se tre vite pasi Universiteti i Prishtinës kishte dorëzuar padi në gjykatë lidhur me një përcelë toke brenda kampusit të universitetit, pritet që kjo padi të shqyrtohet në gjykatë brenda muajit të ardhshëm.
Padia e UP-së që u dorëzua në fund të vitit 2017 ka të bëjë me pronësinë e tokës e cila gjendet në kampusin e këtij universiteti dhe të cilën e ka momentalisht në pronësi Kisha Ortodokse ‘Sveti Nikolla’.
Gjykata e Prishtinës i ka konfirmuar KALLXO.com se padia gjendet momentalisht në zyrën e përkthimit dhe palët pritet që të thirren në gjykatë brenda muajit shkurt.
Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi ka konfirmuar po ashtu se Kisha Ortodokse ka dhënë përgjigjen e vet në padinë e UP-së.
Kujtojmë se në mars të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin e parë ndaj Kishës Ortodokse lidhur me pronësinë e tokës.
Gjykata e kishte konsideruar të tërhequr këtë padi si pasojë e mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq, përkatësisht në seancat që u mbajtën në vitin 2015.
Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesmarrje në seancë në vitin 2015 kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para Kishës jo funksionale ortodokse që gjendet brenda tokës së kontestuar.
Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviq në vitet 1990, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka thënë se padia e dorëzuar është e precizuar dhe po presin trajtimin e lëndës.
Ende pa datë gjykimi për rastin e kishës në hapësirën e UP-së