Pankarta që u vendos sot para kishës ortodokse nga "Demokracia studentore" - Foto: KALLXO.com

Studentët Paralajmërojnë Protesta të Dhunshme

Studentët që janë pjesë e organizatës “Demokracia studentore” kanë reaguar pas heqjes së një pankarte që ata e kishin vendosur në muret e kishës ortodokse në kampusin universitar, e në të cilën kishte fotografi të masakrave të kryera në Kosovë.

Reagimi i ka ardhur pas publikimit të një videoje në mediat online dhe në rrjetet sociale, ku shihet një person i panjohur duke e larguar pankartën.

Kryetari i organizatës, Mexhid Ramusa, e ka cilësuar këtë veprim si “akt qyqar” dhe “provokim që mund të ketë rrjedhojë protesta të dhunshme në vazhdim”.

Sipas tij, ky akt është i orkestruar nga Beogradi.

“Ne kemi paraqitur në këtë pankartë vetëm disa nga masakrat që kanë kryer kriminelët serbë në Kosovë dhe do të kërkojmë deri në fund që ky objekt të jetë muze për të prezantuar krimet dhe masakrat e tyre që i kanë kryer gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatën e “Demokracisë studentore”.

KALLXO.com raportoi sot për aksionin simbolik të kësaj organizate studentore te kisha e ndërtuar në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në hapësirën e Universitetit të Prishtinës.

Aksione të ngjashme janë shpeshtuar kohëve të fundit pasi disa klerikë ortodoksë dhe disa vullnetarë kanë pastruar hapësirën jashtë dhe brenda objektit fetar.

http://kallxo.com/studentet-kerkojne-shnderrimin-e-kishes-ne-muze/