Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Byroja e Sigurimeve kërkon nga fermerët t`i sigurojnë traktorët

Byroja Kosovare e Sigurimeve u ka bërë thirrje fermerëve që të regjistrojnë traktorët për shkak të numrit të madh të aksidenteve nga ta.

Sipas një njoftimi gjatë 10 viteve të fundit, BKS ka paguar rreth 2.2 milionë euro dëme nga aksidentet e shkaktuar nga traktorët e pasiguruar.

“Më shumë se 2.2 milionë euro ka arritur deri më tash shuma e mjeteve që Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka paguar për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga traktorët e pasiguruar. Përfaqësues të BKS-së apelojnë të fermerët që t’i regjistrojnë mjetet e tyre, pasi që sipas tyre në rast të aksidenteve pa sigurim BKS-ja kompenson palën e dëmtuar, por më pastaj të gjitha mjetet rimbursohen nga shkaktari i aksidentit”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, BKS në raste të caktuara ka kompensuar në shumë prej 43 mijë euro palën e dëmtuar për shkak të aksidentit të shkaktuar nga një traktor i pasiguruar.