Buxheti 2021, viktimë e krizës politike

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e  Qeverisë së Avdullah Hotit dhe dërgimi i  vendit në zgjedhje ka rrezikuar buxhetin për vitin 2021.

Partia e kryeministrit Hoti, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për ditën e hënë për votimin e ndarjeve buxhetore.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi përmes një postimi në facebook ka shkruar se  i kanë siguruar  nënshkrimin e mbi 40 deputetëve për mbajtjen e kësaj seance.

“Me kërkesë të mbi 40 deputeteve nënshkrues, ditën e Hënë në ora 11:00 mbahet seanca e jashtëzakonshme për aprovimin e ligjit per ndarjet buxhetore, poashtu në rend dite është edhe miratimi i marrevëshjeve ndërkombëtare që janë në procedurë”, thuhet në postimin e Gashit në Facebook.

Por Bekim Kupina, Këshilltar për media i Kryetarës së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se ata nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme deri dje në orën 16:00.

“Kryetares së Kuvendit, dr. Vjosa Osmani nuk i ka ardhur asnjë kërkesë për senacë të jashtëzakonshme deri dje në orën 16:00”, tha Kupina për KALLXO.com.

Sipas ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, ndarjet buxhetore mund të shtyhen jo më shumë se tre muaj pas fillimit të vitit të ri dhe jo më vonë se 31 marsi 2021.

Pas kësaj date, nëse nuk miratohet buxheti, Kosova mund futet në krizë buxhetore, pasi asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për ndarjet buxhetore.

Sipas Eugen Cakollit, hulumtues nga Insituti Demkratik i Kosovës (KDI) vendi do të hynte në një krizë të paprecedent financar nëse projekt-buxheti nuk do të votohet.

“Në këtë situatë i bie që vendi do  të hynte në një krizë të paprecedent financiare por edhe politike, do të rrezikohej stabiliteti mikro dhe makro fiskal i vendit për shkak se në radhë të parë nuk do të mund të ekzekutohej asnjë pagesë , përfshirë edhe pagesat e shërbyesëve civil dhe publik por edhe pensionet dhe të gjitha kategoritë që marrin mjete nga buxheti i shtetit”, tha ai.

Cakolli tha për KALLXO.com se trendi i vonesës së certifikimit të zgjedhjeve do të kontribuonte në thellimin e kësaj krize.

“Në anën tjetër duke pas parasysh zgjedhjet që me shumë gjasë do të mbahen në javën e fundit të janarit, eventualisht javën e parë të shkurtit, atëherë ekziston rreziku që me trendet e tejzgjatura të procesit të certifikimit të rezultateve të mbetemi pa një qeveri dhe pa një buxhet të miratuar edhe pas muajit shkurt”, shtoi Cakolli.

Për njohësin e çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa pasojat e mos-miratimit të projekt-buxhetit për vitit 2021 do të ishin të mëdha si pasojë edhe e situatës me COVID-19 në Kosovë.

Bellaqa tha për KALLXO.com se me moskalimin e buxhetit do të dështonte i gjithë sistemi ekonomik në vend.

“Me mosmiratim faktikisht dështon sistemi në shumë aspekte sepse ekonomia ka zinxhirët e saj. Faktikisht është një dështim total i krejt sistemit ekonomik nësë nuk miratohet, një jo seriozitet të shtetit të Kosovës në aspektin ekonomik”, tha ai.

Hulumtuesi nga KDI, Eugen Cakolli tha tutje për KALLXO.com se  mos publikimi i plotë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese po i penalizon se, “a ka të drejtë të mblidhet në radhë të parë kuvendi, për shkak se nësë interpretohet në bazë të asaj që ka publikuar  i bie që Kuvendi nuk duhet të mblidhej fare për shkak ai ka pushuar së ekzistuari në momentin që ka dështuar në votimin e qeverisë së re”.

Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj është deklaruar se partia e tij do të votojë projekt-buxhetin për vitin 2021.

Ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur kundër duke e quajtur si përpjekje për keqpërdorim të parasë publike.

Deputeti Eman Rrahmani nga LVV përmes Facebook ka shkruar se  buxheti duhet të votohet pas zgjedhjeve.

“E vetmja punë që duhet të bëjë kuvendi është shpërbërja sa më e shpejt e tij. Buxheti duhet të miratohet pas zgjedhjeve të reja, nga deputetë që përfaqësojnë interesin qytetar, jo nga deputetë që punuan kundër interesit të qytetarëve dhe kundër interesit të vendit”, ka shkruar ai.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 21 dhjetor ka marrë vendim për rrëzimin e Qeverisë me në krye Avdullah Hotit duke e quar vendin në zgjedhje.

Sipas vendimit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje  jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre nga presidenti.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentës, Vjosa Osmani gjatë javës së kaluar ka zhvilluar takime me krerët dhe përfaqësuesit e partive politike për datën e mbajtës së zgjedhjeve.

Osmani: Pas aktgjykimit të plotë të Kushtetueses do të caktohet data e zgjedhjeve