Pjesa ku ulej Lista Serbe, Foto: KALLXO.com

Çka ndodh nëse asnjë parti serbe nuk zëvendëson deputetët e dorëhequr të Listës Serbe?

Dhjetë deputetët e Listës Serbe (LS) kanë zyrtarizuar dorëheqjet e tyre nga mandati i deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët që kanë dorëzuar dorëheqjen janë: Slavko Simiq, Adem Hoxha, Igor Simiq, Miljana Nikoliq, Zoran Mojsiloviq, Verica Ceraniq, Branislav Nikoliq, Milosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Dediq dhe Dragana Antonijeviq.

Për zëvendësimin e tyre, Ligji për zgjedhjet e përgjithshme thotë se deputeti i dorëhequr zëvendësohet nga kandidati i radhës i cili ka fituar numrin më të lartë të votave në listën e kandidatëve.

Kështu shpjegon edhe ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka.

Daka thotë se zëvendësimi i deputetëve do bëhet ashtu siç e parashah Ligji, nga radha e partisë së njëjtë dhe nga gjinia e njëjtë, pra nga nëntë kandidatët e mbetur në LS.

Në rast se dorëhiqen edhe kandiatët e tjerë nga Lista Serbe, Daka thotë se KQZ-ja rekomandon të tjerët që kanë kandiduar për vendet e rezervuara nga komuniteti serb.

“KQZ-ja i rekomandon të tjerët që kanë kandiduar për vendet e rezervuara nga radha e komunitetit joshumicë serb”- shpjegon ajo.

Në zgjedhjet e përgjithshme kanë kandiduar dy parti tjera serbe, ajo Gi Za Slobodu Pravdu i Opstanak (GI SPO) dhe ajo Srspski Demokratski Savez (SDS).

Nga partia GI SPO kanë kandiduar tre kandidatë: Milan Dabiq, Cvetko Velkoviq dhe Rada Trajkoviq. Ndërsa nga subjekti politik SDS kanë kandiduar pesë kandidatë: Slavisa Petkoviq, Mihailo Shqepanoviq, Jasmina Zdravkoviq, Srbolub Andrejeviq dhe Esada Rexhepi.

Megjithatë, Kuvendi prapseprapë mbetet me dy ulëse vakante pasi dy partitë serbe mbushin vetëm tetë vende.

Eugen Cakolli, hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), shpjegon se çka ndodh nëse dy ulëset mbesin të zbrazëta. Ai thotë se nuk mund të zëvendësohen nga komunitete tjera sepse përbën shkelje kushtetuese.

“Këto dy pozita mund të mbeten vakante, e që ka implikime kushtetuese për shkak se me Kushtetutë  duhet me qenë 10. Presidentja duhet të referojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese dhe me kërku nga ta një interpretim se çka do të ndodhë nëse nuk ka parti tjera të ligjshme, pra a do t’i lënë vakante apo thjesht nuk i mbushin fare, e më pas shpërndahet Kuvendi dhe shkojmë në zgjedhje të reja”- ka thënë Cakolli në një prononcim për KALLXO.com.

Fillimisht, sipas Cakollit, nëntë kandidatët e mbetur të Listës Serbe për të humbur mandatin, duhet të shkojnë në Kuvend për të bërë betimin.

“Në parim këta nëntë të Listës Serbe për me humbë mandatin, duhet me ardhë me bo betimin në Kuvend. Nëse nuk e bëjnë tre herë betimin në tri seanca të rregullta atëherë e humbin me automatizëm mandatin”- sqaron Cakolli.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dje ka proceduar kërkesën për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të dorëhequr të LS-së.

Nga Presidenca kanë konfirmuar për KALLXO.com se, presidentja Vjosa Osmani tashmë ka pranuar kërkesën e Konjufcës dhe i është drejtuar KQZ-së për të pranuar rekomandimet e emrave për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr.

Më pas, KQZ njoftoi se ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të rekomanduar emrat e personave në radhë për të plotësuar vendet e lira nga dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe.

Kështu ka konfirmuar në një prononcim për KALLXO.com zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës”- ka thënë Elezi.

Elelzi ka thënë se KQZ-ja do të përgatisë rekomandimin brenda afatit prej 5 ditëve, ashtu siç e parasheh edhe Ligji.

“Duke u mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”- tha Elezi për KALLXO.com.

Njohësit e punës së Kuvendit shpjegojnë zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr

Dorëheqja e deputetëve të LS-së, që po cilësohet si një ndër më të mëdhatë në Parlament,  ka ngjallur diskutime se si do të ndikojë e gjithë kjo në punën e Kuvendit.

Eugen Cakolli, hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se për zëvendësimin e deputetëve Kushtetuta dhe ligji janë të qartë.

Sipas tij, që nga formalizmi i dorëheqjeve, kryetari i Kuvendit duhet që menjëherë të iniciojë procedurat për zëvendësimin e tyre duke ia bërë fillimisht të ditur vakantin e ulëseve presidentes së vendit, e cila më pas duhet të kërkojë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të bëjë zëvendësimin e kandidatëve me kandidatë të tjerë.

“Në këtë situatë, çështja është paksa më e komplikuar për shkak se në bazë të ligjit, deputetët duhet të zëvendësohen nga deputetët e tjerë në radhë të po atij subjekti politik. LS ka pasur 20 kandidatë në zgjedhjet e fundit, prej të cilëve 10 kanë fituar këtë mandat dhe pas konfirmimit për dënimin e deputetit Ivan Todosijeviq, i njëjti është zëvendësuar. Aktualisht LS ka në listën e saj vetëm edhe nëntë kandidatë të cilët janë të ligjshëm për të fituar mandatin e ri”- shpjegon Cakolli për KALLXO.com.

Cakolli thotë se një deputet tjetër do të zëvendësohet nga radhët e partisë tjetër serbe GI SPO, që ka numrin më të madh të votave pas LS-së.

Ndërkaq, Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+), thotë se dorëheqjet e deputetëve janë të pakthyeshme, pasi sipas tij nuk ka të bëjë me bojkotim të punës së Kuvendit por me dorëheqje të parevokueshme, që nënkupton përfundim të mandatit.

“Pas dorëheqjeve të deputetëve të Listës Serbe nga Kuvendi i Kosovës, kryetari i Kuvendit duhet që t’i bëjë kërkesë me shkrim presidentes për të plotësuar ulëset e zbrazëta. Në këtë kërkesë duhet të jipen edhe shpjegimet pse janë liruar këto ulëse. Pas pranimit të kërkesës, presidentja duhet të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë emrin e personave të tjerë që i zëvendësojnë deputetët e dorëhequr. KQZ duhet që në afatin prej pesë ditësh të punës nga momenti i marrjes së kërkesës, t’ia ofrojë presidentes emrat e radhës”- është prononcuar Krasniqi për KALLXO.com.

Më tej, Cakolli thotë se mbetet të shihet nëse deputetët e tjerë të LS-së do të pranojnë mandatin, në të kundërtën, sipas tij, mosdhënia e betimit brenda tri seancave përbën arsye për humbjen e mandatit.

“Pas dhënies së mandatit, të njëjtit janë të obliguar që të japin betimin në Kuvend. Mosdhënia e betimit nga ana e deputetëve brenda tri seancave të rregullta pas konfirmimit të mandatit, përbën arsye për përfundimin e mandatit të atyre deputetëve. Kësisoj mbetet të shihet nëse deputetët tjerë të LS do të pranojnë mandatin apo thjesht nuk do të vijnë në Kuvend të japin betimin”- është shprehur ai.

Nëse japin sërish dorëheqje, Cakolli thotë se vendi mund të futet në një krizë në kuptimin kushtetues.

“Në këtë rast do të duhej të referohen tek Gjykata Kushtetuese për të parë se si mund të veprohet tutje në rastet kur nuk ka më fare subjekte politike të atij komuniteti për të zëvendësuar kandidatët”- sqaron ai.

Për këtë çështje, Krasniqi thotë se në rast se asnjë prej përfaqësuesve të komunitetit serb që kanë garuar në zgjedhje nuk pranojnë mandatet, këto pozita nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.

“Rrjedhimisht mbesin të zbrazëta dhe Kuvendit të Kosovës i humbet aftësia e ushtrimit të të gjitha kompetencave, siç është amendamentimi i Kushtetutës. Kurse ligjet me interes vital mund të miratohen apo ndryshohen, pasi për to përveçse votave të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, kërkohen vetëm votat e shumicës së deputetëve  që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë”- tha mes tjerash Krasniqi.

Në anën tjetër, duke u bazuar në nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës bëhet i pavlefshëm nëse jep dorëheqje.

Serbët braktisin institucionet e Republikës së Kosovës

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur  në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.

Reagimet pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendimin për largim të serbëve nga institucionet e Kosovës i ka quajtur veprime të Serbisë që për synim kanë destabilizimin e veriut të Kosovës.

“Veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit” – thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

Kryeministri Albin Kurti reagoi duke thënë se Beogradi ka nisur kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës.

Kurti nuk ka folur saktësisht për vendimin e fundit të zyrtarëve policorë nga komuniteti serb në veri, për t’u dorëhequr nga detyra, por ka kërkuar nga të gjithë qytetarët serbe që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, duke thënë se ai nuk është kreministër kundër tyre.