Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Pas aktgjykimit të plotë të Kushtetueses do të caktohet data e zgjedhjeve

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, ka përfunduar takimet me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në të cilat ka diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas një komunikate për media të Presidencës, pas përfundimit të takimeve dhe diskutimeve përmbajtësore me të gjitha subjektet politike, Osmani ka theksuar se sapo palët ta marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, menjëherë do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Siç bëhet tutje e ditur, u.d. presidentja do të mbajë takime edhe me KQZ-në si dhe institucione të tjera relevante në mënyrë që organizimi i zgjedhjeve të bëhet sipas standardeve më të larta.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur si jokushtetuese votimin e Qeverisë Hoti.

Shkak për këtë ishte bërë vota e Etem Arifit, i cili përkundër që ishte i dënuar me vendim të formës së prerë kishte marrë pjesë në votimin e Qeverisë.