Ilustrim, Foto: Pixabay

Bursa shqiptare e energjisë elektrike, ZRRE miraton kërkesën për fillimin e tregtimit të rrymës një ditë para

Zyra e Rregullatorit të Energjisë me pesë vota për ka miratuar kërkesën e ALPEX-it – Bursës shqiptare të energjisë elektrike, për fillimin e tregtimit të energjisë elektrike një ditë para apo në avanc. Tregtimi i energjisë elektrike në avanc do të fillojë që nga 1 shkurti 2024.

Skender Muqolli nga ZRRE tha se këtë kërkesë e kanë pranuar nga ALPEX-i më 19 janar.

“ALPEX thotë se i kanë plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkon nga ZRRE miratimin e tregtimit të ditës së tregtimit” – tha Muqolli.

Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se ky është një hap i madh drejt finalizimit të një procesi të filluar 10 vite me parë.

“Është hap i madh për ne dhe për të licencuarit. Shpresojmë që ky treg të jetë më likuidi në Ballkan” – tha ai.

ALPEX – Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike është marrëveshje mes Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës KOSTT dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit Shqiptar – OST për zhvillimin e tregut konkurrues të energjisë elektrike për të dyja vendet Kosovë dhe Shqipëri.

“Rezultatet e Tregut të Ditës në Avancë, duke përfshirë çmimin Klerues të Tregut, Skedulet Import-Eksport për Interkoneksionet e Bashkimit të Tregjeve dhe Sasitë e shitjes dhe blerjes për Njësi Kohore Tregu”- thuhet në web faqen e ALPEX.

Bordi i ZRRE-së miratoi këtë kërkesë në mbledhjen e parë të mbajtur në vitin 2024.

“Po them vit i mbarë pasi që kemi fillu faturimin e rrymës në veriun e vendit, uroj që ky të jetë vit i suksesshëm” – u shpreh kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Marrëveshja për themelimin e ALPEX-it është nënshkruar më 5 tetor 2020.