Marrëveshje Kosovë - Shqipëri për themelimin e Bursës së Energjisë Elektrike

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT- it, Ilir Shala dhe administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Shqiptar – OST, Skerdi Drenova sot kanë nënshkruar marrëveshjen e aksionerëve për themelimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike – ALPEX si dhe miratuan statutin e saj.

“Në vazhdimësi të bashkëpunimit në mes të KOSTT dhe OST, ne sot po e konkretizojmë edhe një bashkëpunim të radhës. Kjo është një ditë tjetër historike për ne dhe është hap tjetër drejt integrimit të mëtutjeshëm në tregun e integruar evropian të energjisë elektrike, ku ne po synojmë të arrijmë”, është shprehur Shala, bëhet e ditur në komunikatë.

Në anën tjetër, Administratori i OST – Shqipëri, Drenova, theksoi se kjo bursë do t’i hapë rrugë perspektivës për tregtimin e energjisë në të dy vendet me çmime të parregulluara duke krijuar mundësi të mëdha në përfitime ekonomike të prodhuesve dhe përdoruesve të energjisë elektrike.

“Themelimi i Bursës Shqiptare të Energjisë është në përputhje me politikat e Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës për liberalizim të tregut të energjisë si dhe një nga objektivat e pakos së tretë të direktivave të Bashkimit Evropian për themelimin  e Tregut të Brendshëm Evropian të Energjisë Elektrike (“IEM”) si dhe të vendimeve të  arritura në kuadër të Procesit të Berlinit përkatësisht Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë për themelimin e operatorit (bursës) për operimin dhe rrjedhimisht bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike një Ditë Para (DAM) dhe Brenda ditës (IDM), në një treg rajonal”, thuhet tutje në komunikatë.