Bujqit protestojnë para Ministrisë së Bujqësisë, Besian Mustafa u premton përkrahje

Të pakënaqur me mbështetjen institucionale, një numër i bujqve nga rajonet e ndryshme të Kosovës, të udhëhequr nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës (FSBK) kanë protestuar për më shumë se një orë para objektit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Kërkesat e tyre janë mbrojtje e prodhuesve të qumështit vendor, mos keqpërdorim të grantet dhe subvencionet e fermerëve, të kompensohen të gjithë fermerët e dëmtuar nga kushtet klimatike, të vendoset reciprocitet me vendet tjera të cilat nuk lejojnë prodhimet e tyre të shiten apo edhe as të kalojnë nëpër ato vende.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqësisë (FSBK) Tahir Tahiri, mes tjerash theksoi se kërkojnë kompensim  80% të dëmit të vlerësuar nga komisionet komunale, pasi që sipas tij, 25 për qind është e pamjaftueshme.

“Ministri ka bërë shkelje ligjore kur i ka kushtëzu bujqit e Vushtrrisë me rastin e premtimit të tij për pagesën e dëmeve nga breshëri dhe vërshimet e fundit duke ju thënë se ata duhet të hjekin dorë ose nga kompensimi I dëmeve ose nga subvencionet, me ç’rast pjesa më e madhe e bujqve janë detyru me hjek dorë nga kompensimi i dëmeve, përderisa tek komunat tjera kushtëzime të tilla nuk ka… .Ministri ka premtu që dëmet nga fatkeqësitë natyrore do ti kompensoi 25% të dëmit të vlerësuar, kjo për bujqit është shumë pak dhe nuk është ndihmë as minimale për bujqit”, u shpreh Tahiri.

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa doli në takim pas insistimit të protestuesve që ai të vijë aty e jo t’i pres në zyrë brenda ministrisë.

Mustafa u shpreh se këtë vit do t’i paguajnë subvencionet dy herë, duke shtuar se për qindja e kompensimit të dëmit nuk mund të rritet për shkak të buxhetit të limituar.

“Dua t’i njoftoj bujqit se këtë vit do t’i paguajmë subvencionet dy herë në krahasim me vitin 2019, pra dyfish. Po e marr shembull për sipërfaqje të drithrave ku do të bëjmë dy pagesa të 150 eurove, pra 300 euro gjithsej për të gjitha kulturat. Këtë vit kemi edhe programin për grantet 29 milionë euro duke i shtu kësaj edhe njëherë subvencionet, kemi një përkrahje prej 79 milionë euro për bujqit. Pra, përkrahja më e madhe që i është bërë bujqve kosovar nga ministria e Bujqësisë brenda një viti. Duke mos harru që këtë vit kemi COVID, një sfidë edhe për buxhetin e shtetit, i cili fatkeqësisht nuk është i pafund. Sa i përket kompensimit të dëmit ju e dini që për periudhën janar-qershor për dëmet që janë shkaktu nga fatkeqësit natyrore kemi ndarë një buxhet prej 2 milionë euro që përfshinë 25 % të kostos së dëmit. Do të donim që kjo të ishte edhe më e madhe, po ky është limiti i buxhetit”, u shpreh Mustafa.

Besian Mustafa, Foto: KALLXO.com

 

Protesta e bujqve, foto: KALLXO.com