BQK tregon arsyet e shtrenjtimit të çmimeve për sigurimin e automjeteve

Banka Qendrore e Kosovës në një konferencë të mbajtur sot për media ka folur  për shtrenjtimin e çmimeve të sigurimit të automjeteve.

I pari i BQK-së, Fehmi Mehmeti, në këtë konferencë ka treguar pse është marrë vendimin për shtrenjtimin e çmimeve të sigurimit të automjeteve.

“BQK është rregullator mbikëqyrës për institucionet financiare, këtu janë edhe kompanitë e sigurimeve, ne kemi qëllim që t’i mbrojmë polismbajtësit, ne kemi qëllim të mbrojmë depozitorët e sistemit bankar”, ka thënë Mehmeti.

Ai tutje ka shtuar se vendimi ka ardhur edhe pas rekomandimit të Fondi Monetar Ndërkombëtar,  që të rishikohet edhe fusha e sigurimeve.

“Çmimet në sigurimin e veturave nuk kishin ndryshuar nga viti 2001. Edhe pse është kërkesë ligjore që për çdo vit të bëhet rishikimi i tarifave nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani. Ne e kemi evituar një shkrelje ligjore, pra i kemi rishikuar sigurimet”, ka thënë Mehmeti.

Në këtë konferencë, Mehmeti ka paralajmëruar masa drastike për të gjitha institucionet financiare të cilat nuk janë në harmoni me ligjin.

“Nga viti 2001 e deri më tani kanë ndodhur shumë zhvillime, faktori i parë që ka qenë në marrjen e këtij vendimi ka qenë llogaritja e dëmeve, pastaj rritja e shumës së detyrueshme minimale, BQK ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga kompanitë e sigurimeve për të rishikuar çmimin e sigurimeve”, ka thënë Mehmeti.

Sot edhe Shoqata e Sigurimeve ka dalë me një qëndrim rreth këtij ndryshimi të çmimeve.

“Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet shumë qartë se nga vitit 2002, e deri në fund të muajit shtator të këtij viti, shuma e dëmeve të kompensuara kalon shifrën mbi 400 milionë euro, shifër kjo më e lartë krahasuar me vendet e rajonit”, thuhet në njoftim.

Të gjitha kompanitë e sigurimit sipas Shoqatës së Sigurimeve, të cilat kanë operuar në Kosovë nga viti 2002 kanë pësuar humbje më shumë se 23. 5 milion euro, që i bie për cdo vit nga 1.3 milion.

“Përveç numrit në rritje të automjeteve të pa siguruara, numrit në rritje të aksidenteve, në bilancin negativ vjetor të kompanive të sigurimit kanë ndikuar edhe obligimet shtese që industria e sigurimit është dashur të paguaj ndaj shtetit, si asnjë korporatë tjetër në Kosovë”, thuhet në njoftim.

“Kompanitë e sigurimit janë në gjendje të rendë financiare, pasi që ka rritje ekstreme të aksidenteve me lëndime të rënda, por edhe aksidenteve më lëndime të lehta. Kjo që ka ndodhur në vendin tonë nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të rajonit, por edhe më larg. Ka rritje të konsiderueshme të dëmeve, polica e sigurimit e cila edhe më rritjen e fundit ka çminim më të lirë në rajon, deri sa ka një mbulueshmëri deri në një milionë euro, shumë kjo e barabartë me shtete të zhvilluara Evropiane”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Sipas tyre industria e sigurimit në Kosovë, luan edhe një rol të rëndësishëm në aspektin social, pasi që sipas shoqatës, në të direkt dhe indirekt punësohen mbi 2700 punëtor në të gjitha komunat e vendit.

“Tendenca për të dëmtuar industrinë e sigurimeve, ku më shumë se gjysma është me kapital të huaj dëmton edhe imazhin e vendit karshi investitorëve të huaj të cilët edhe më tutje Kosovën e shohin si mundësi për ta investuar një pjesë të kapitalit të tyre”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Shoqata e Sigurimee të Kosovës ka kërkuar që Kompanitë e Sigurimeve të trajtohen dhe vlerësohen si aset dhe faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe i stabilitetit financiar.

“Pronarët realë të kompanive te Sigurimit janë polisëmbajtësit, pra qytetarë të Kosovës”, përfundon njoftimi i Shoqatës së Sigurimeve.

Më 1 nëntor të këtij viti KALLXO.com raportoi se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim për rritje të çmimit të sigurimit të veturave. Rritja e çmimit do të bëhen në nivel me rritjen e normës së inflacionit (rritjes totale të çmimeve) që nga viti 2002 e deri në vitin 2018.

Sipas këtij vendimi, BQK-ja ka kërkuar nga siguruesit që t’i përshtatin tarifat aktuale të sigurimit të veturave për kategorinë e mjeteve për pasagjerë, të cilat janë në fuqi që nga data 1 korrik 2001, me normën e inflacionit zyrtar të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të datës 01.01.2002 deri më 31.12.2018.

BQK i rrit çmimet për sigurimin e veturave