Tokio i mbipopulluar, qeveria po i paguan familjet për t’u zhvendosur në zona rurale

Japonia po iu ofron familjeve japoneze një pagesë financiare për t’u larguar nga kryeqyteti tejet i mbipopulluar – Tokio, në një përpjekje për t’i rigjallëruar vendbanimet rurale dhe për ta rritur shkallën në rënie të natalitetit.

Duke filluar nga prilli, familjet në zonën metropolitane të Tokios, përfshirë ato me prindër të vetëm, do të kenë të drejtë t’i marrin 1 milion jen (7,700 dollarë) për fëmijë nëse zhvendosen në zona më pak të populluara në të gjithë vendin, sipas një zëdhënësi nga qeveria qendrore.

Këto zbatohen për fëmijët nën 18 vjeç, ose për personat mbi 18 vjeç nëse vazhdojnë ta ndjekin shkollën e mesme.

Nuk është hera e parë që qeveria japoneze përpiqet t’i përdorë stimuj financiarë për të inkurajuar njerëzit të largohen, por ky plan është më bujar në trefishin e shumës së ofruar aktualisht.

Për dekada, njerëzit në të gjithë Japoninë kanë migruar në qendrat e saj urbane duke kërkuar mundësi pune. Tokio është qyteti më i populluar i Japonisë, me rreth 37 milionë banorë.

Përpara pandemisë Covid, numri i njerëzve që lëviznin në Tokio tejkalonte numrin e atyre që largoheshin nga kryeqyteti me deri në 80,000 çdo vit, sipas statistikave të qeverisë të lëshuara në 2021.

Por ky model migrimi, i kombinuar me plakjen e shpejtë të popullsisë së Japonisë, i ka lënë qytetet rurale me gjithnjë e më pak banorë, si dhe me miliona shtëpi të pabanuara. Më shumë se gjysma e komunave të vendit, duke mos i përfshirë 23 repartet e Tokios, pritet të përcaktohen si zona të papopulluara në vitin 2022, sipas një regjistrimi kombëtar.

Ndërkohë, në qytetet e mëdha, hapësira ka mbaruar me shpejtësi dhe çmimet janë ngritur në qiell. Tokio është vazhdimisht një nga qytetet më të shtrenjta në botë për të jetuar, duke u renditur i pesti globalisht në vitin 2022.

Një vend i supermoshuar

Ky problem, migrimi i të rinjve nga fshatrat drejt qyteteve të mbushura me njerëz, është një faktor kyç në krizën më të madhe demografike të Japonisë, sipas ekspertëve.

Japonia ka luftuar prej kohësh me nivelet e ulëta të lindjeve dhe jetëgjatësinë e gjatë dhe ka parë që numri i vdekjeve të jetë më i madh se lindjet në vitet e fundit.

Ekspertët i vënë në pah disa faktorë: kostoja e lartë e jetesës, hapësira e kufizuar dhe mungesa e mbështetjes për kujdesin e fëmijëve në qytete e bëjnë të vështirë rritjen e fëmijëve, që do të thotë se më pak çifte po bëjnë fëmijë. Çiftet urbane janë gjithashtu shpesh larg familjes së gjerë që mund të ndihmonte në ofrimin e mbështetjes.

Për shembull, Tokio ka shkallën më të ulët të lindshmërisë nga të gjitha 47 prefekturat në Japoni.

Modelet aktuale të migrimit po rezultojnë në qytete të braktisura me pak fëmijë. Në fshatin buzë lumit Nagoro në Japoninë jugore, kishte më pak se 30 banorë në vitin 2019, me banorin më të ri mbi moshën 50 vjeç. Shkolla e vetme e fshatit u mbyll disa vite më parë pasi u diplomuan studentët e saj të fundit.

Për t’u përballur me këto çështje, autoritetet nisën një iniciativë në vitin 2019 për t’i tërhequr njerëzit në zonat rajonale.

Sipas këtij plani, individët që kanë jetuar dhe punuar në zonën metropolitane të Tokios për të paktën pesë vjet mund të marrin 600,000 jen (4,500 dollarë) nëse do të zhvendoseshin në zonat rurale. Ky stimulim është më i lartë për çiftet, në 1 milion jen (7,700 dollarë).

Vitin e kaluar, qeveria japoneze u dha mundësinë prindërve të vetëm ose çiftet me fëmijë t’i marrin 300,000 jen (2,300 dollarë) për fëmijë nëse zhvendoseshin.

Ata që zhvendosen mund të punojnë në atë zonë, të krijojnë biznesin e tyre ose të vazhdojnë të punojnë nga distanca në punët e tyre me bazë në Tokio, deklaronte zëdhënësi i qeverisë.

“Tokio ka një përqendrim shumë të lartë të njerëzve dhe qeveria dëshiron ta rrisë fluksin e njerëzve në zonat rajonale për t’irigjallëruar zonat me popullsi në rënie” – shtoi ai.

Ka disa dëshmi se programi po fiton tërheqje, megjithëse numrat janë ende të ulët. Në vitin e parë të nisjes, morën pjesë vetëm 71 familje, krahasuar me 1,184 familje në vitin 2021.

Qeveria e Japonisë ka bërë gjithashtu përpjekje të tjera për ta adresuar rënien e popullsisë, duke përfshirë prezantimin e politikave në dekadat e fundit për t’i përmirësuar shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe për t’i përmirësuar objektet e strehimit për familjet me fëmijë. Disa qytete rurale madje kanë filluar t’i paguajnë çiftet që jetojnë atje për të pasur fëmijë./CNN