Foto: Facebook/Pamje nga ekspozita ‘Kosova, sporti dhe arritjet e yjeve tona'.

Hapet ekspozita me fotografi "Kosova, sporti dhe arritjet e yjeve tona" në Japoni

Në Tokio është hapur ekspozita “Kosova, sporti dhe arritjet e yjeve tona”, me 60 fotografi përmes të cilave synohet prezantimi i një pjesë të Kosovës dhe historisë së sportit kosovar për qytetarët japonezë.

Ekspozita përmbledhë fotografi nga ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës, por edhe nga Lojërat  Olimpike Verore, “Tokio 2020” që u mbajtën këtë verë.

Ambasadori i Kosovës në Japoni, Arbër Mehmeti ka treguar të gjitha ngjarjet që i përfshinë kjo ekspozitë.

“Në fotografitë të cilat do të ekspozohen, vizitorët do munden të shohin Kosovën që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së më 17 shkurt 2008, pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Lojërat Olimpike Verore në “Rio 2016”, dhe medaljen e parë të artë të fituar në xhudo. Gjithsesi, këtu është përfshirë edhe suksesi i jashtëzakonshëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020”, ku përsëri xhudistët tanë na bën krenarë me dy medalje të arta në xhudo. Në të njëjtën kohë, një hapësirë e veçantë e kësaj ekspozite i kushtohet peizazhit të bukur të Kosovës”, citohet të ketë thënë diplomati kosovar, Arbër Mehemti.

Të pranishëm në hapjen zyrtare të ekspozitës ishin drejtues lokal dhe qendror japonezë, diplomatë të akredituar në Tokio, përfaqësues të agjencive të udhëtimit e përfaqësues të shoqatave japoneze-kosovare.

Ekspozita është organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni, në bashkëpunim me bashkinë Minato. Ajo do të qëndrojë e hapur në Qendrën Sportive të Bashkisë Minato nga 2 deri më 12 nëntor 2021.

Foto: Facebook/Pamje nga ekspozita ‘Kosova, sporti dhe arritjet e yjeve tona’.
Foto: Facebook/Pamje nga ekspozita ‘Kosova, sporti dhe arritjet e yjeve tona’.
Foto: Facebook/Pamje nga ekspozita ‘Kosova, sporti dhe arritjet e yjeve tona’.
Foto: Facebook/Pamje nga ekspozita ‘Kosova, sporti dhe arritjet e yjeve tona’.