Pas trazirave, jep dorëheqje kryeministri i Haitit

Mes kaosit të përshkallëzuar dhe dhunës në Haiti, kryeministri Ariel Henry e ka njoftuar dorëheqjen e tij, duke njohur nevojën urgjente për stabilitet dhe paqe në shtetin e Karaibeve.

Bandat kanë nisur sulme të pamëshirshme ndaj strukturave qeveritare, duke e çuar rendin shoqëror në prag të kolapsit.

Në një fjalim natën vonë të hënën (11.03.2024), kryeministri Henry deklaroi se qeveria e tij do të heqë dorë nga pushteti me themelimin e një këshilli kalimtar. Duke theksuar domosdoshmërinë e paqes dhe stabilitetit, Henri ka deklaruar se “Haiti ka nevojë për paqe. Haiti ka nevojë për stabilitet.” Ai përshkroi planet për një qeveri të përkohshme për ta lehtësuar tranzicionin derisa të emërohet një kryeministër dhe kabinet i ri. 

Rritja e fundit e dhunës shkaktoi ndërhyrje urgjente ndërkombëtare, me kryeministrin Henry në Kenia për ta finalizuar një marrëveshje për dislokimin e 1000 policëve kenianë për ta rivendosur sigurinë në Haiti. Pavarësisht presionit nga Shtetet e Bashkuara për ta arritur një zgjidhje politike, ekziston pasiguria se kush do ta pasojë Henrin. Guy Philippe, një ish-udhëheqës rebel i dëbuar nga SHBA në Haiti, është sugjeruar si një pasardhës i mundshëm.

Henry mori pushtetin në vitin 2021 pas vrasjes së presidentit të atëhershëm të Haitit, por nuk arriti të organizonte zgjedhjet vitin e kaluar për shkak të shqetësimeve për pasigurinë. Ky vendim nxiti pakënaqësi të mëtejshme midis protestuesve që tashmë kërkonin dorëheqjen e tij në mes të varfërisë së përkeqësuar dhe dhunës së shfrenuar të bandave.

Që nga mungesa e Henrit në Kenia, Port-au-Prince ka dëshmuar një rritje të sulmeve të bandave të koordinuara ndaj zbatimit të ligjit dhe institucioneve shtetërore, duke shkaktuar një eksod masiv të banorëve që largohen nga shtëpitë e tyre nga frika për sigurinë e tyre./CNN