Flamuri i Kanadasë, Foto: Qeveria kanadeze

Gjashtë të vdekur nga të shtënat me armë në Toronto të Kanadasë

Pesë persona u qëlluan dhe u vranë në një njësi të godinës në periferi të Torontos dhe personi i armatosur u vra më pas nga policia, thanë autoritetet kanadeze të dielën vonë.

Policia rajonale e York-ut deklaroi përmes një komunikate se një nga zyrtarët policor qëlloi dhe vrau të dyshuarin në një banesë në Vaughan, Ontario.

Sipas shefit të policisë të këtij rajoni, janë gjashtë të vdekur përfshirë edhe të dyshuarin. Tutje, ai tha se personi i shtatë i qëlluar nga i dyshuari është në spital dhe pritet të mbijetojë.

Policia nuk e ka identifikuar të dyshuarin apo emrin e të ndjerit.

Të shtënat masive janë të rralla në Kanada dhe qyteti i Torontos ka kohë që krenohet si një nga qytetet e mëdha më të sigurta në botë./Associated Press