Donald Trump njoftohet se është objekt i hetimit penal lidhur me trazirat në ‘Capitol Hill’

Ish-presidenti Donald Trump tha të martën se e ka pranuar një letër që e informon se ai është objekt i hetimit të Departamentit të Drejtësisë në përpjekjet për t’i përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, një tregues që ai së shpejti mund të akuzohet nga prokurorët amerikanë.

Akuzat e reja federale, në krye të akuzave ekzistuese shtetërore dhe federale në New York dhe Florida dhe një hetim i veçantë i ndërhyrjes në zgjedhje që i afrohet përfundimit në Gjeorgji, do t’i shtohej listës së problemeve ligjore për Trumpin, ndërkohë që i njëjti po e ndjek nominimin presidencial republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Trump e zbuloi ekzistencën e letrës së lartcekur në një postim në platformën e tij “Truth Social”, duke thënë se e mori atë të dielën mbrëma dhe ai parashikon që të paditet.

Një letër e tillë shpesh i paraprin një aktakuze dhe përdoret për t’i këshilluar individët nën hetim se prokurorët kanë mbledhur prova që i lidhin ata me një krim.

Një zëdhënës i këshilltarit special Jack Smith, zyra e të cilit e udhëheqë hetimin, nuk pranoi të komentojë.

Ekspertët ligjorë kanë thënë se akuzat e mundshme mund të përfshijnë konspiracion për t’i mashtruar Shtetet e Bashkuara dhe pengim të procesit zyrtar, në këtë rast certifikimin e Kongresit për fitoren elektorale të Presidentit Joe Biden.

Në postimin e tij të martën, Trump shkroi se “ata tani më kanë paditur në mënyrë efektive tri herë … me një të katërt ndoshta që vjen nga Atlanta”.

Trump u padit muajin e kaluar për 37 akuza për krime federale në lidhje me akuzat për mbajtjen e paligjshme të qindra dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago.

Ai është deklaruar i pafajshëm. Një konferencë paraprake, në atë rast, u mbajt të martën në Fort Pierce, Florida, ku një gjykatëse tha se ajo pret së shpejti të vendos për një datë gjykimi./Associated Press

Përgatiti: Nuhi Shala