Boshnjaku: Qeveria e re s'ka diç specifike për energjinë e ripërtërishme dhe efiqiencën e energjisë

Shend Boshnjaku – drejtor ekzekutiv i ‘Green Energy Kosova’ dhe përfaqësues i OSHC për çështjet mjedisore, i ftuar në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ka thënë se sipas raportit të Komisionit Evropian, objektet qeveritare harxhojnë deri në 22 milionë euro për t’i paguar faturat e energjisë elektrike.

Po ashtu, Boshjaku ka thënë se shpreson që kjo qeveri të mos e ketë mentalitetin e qeverive të kaluara dhe të mendojë një stabilitet energjetik duke ndërtuar një termocentral të ri me qymyr.

Shend Boshnjaku Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai thotë se më e rëndësishme se stabiliteti energjetik është shëndeti i qytetarëve.

“As kjo Qeveria e re, sipas planit të saj, nuk ka dhwnw diçka të re apo specifike sa i përket energjisë së ripërtërishme dhe efiqiencës së energjisë. Nuk ka ndonjë plan se si do të shkojmë përpara. Kosova ka potencial të madh në burime të ripërtërishme të energjisë. Kemi 281 ditë dritë që Kosova mundet me prodhu energji solare, kemi më shumë se në Gjermani që janë të parët në përmbushje të objektivave. Qeveria e Kosovës nuk ka marrë iniciativa të mjaftueshme, ka pasur pilot projekte por të pamjaftueshme për qytetarët. Sipas Komisionit Evropian, Qeveria e Kosovës harxhon deri në 22 milionë euro për faturat e energjisë elektrike për objektet e saj”, ka thënë Boshnjaku.

Në konferencën e moderuar nga Visar Prebreza morën pjesë Viktor Berishaj – koordinator i Politikave të Energjisë për Evropën Juglindore në Rrjetin e Aksionit Klimatik (CAN) Evropë, Shend Boshjnjaku – drejtor ekzekutiv i ‘Green Energy Kosova’ dhe përfaqësues i OSHC (çështjet mjedisore), Lulzim Syla – CEO Elen (TBC), Albena Reshitaj – deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hana Xhemajli – hulumtues i Politikave Shëndetësore (TBC).

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”. “Ditët e Energjisë së Gjelbër.

Temat e trajtuara në konferencën e diskutimit ishin të fokusuara në shëndetin dhe mirëqenien e mirë e popullatës, energji e pastër dhe financiarisht e përballueshme, si dhe qytete dhe komunitete të qëndrueshme. Në këtë konferencë do të diskutohet mbi lidhjen e ngushtë mes qëllimeve të caktuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm, progresit të cilin Kosova e ka bërë deri më tash dhe hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë drejt arritjes së këtyre qëllimeve dhe rrjedhimisht energjisë së pastër dhe popullatës së shëndetshme.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.