Borrell për 1-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit: Është për të ardhur keq që deri më tani ka pasur përparim shumë të kufizuar nga dy vendet

Nesër, më 18.03.2024, bëhet një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, që është aneksi i Marrëveshjes bazë të datës 27.02.2023 e nënshkruar në Bruksel drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Ohrit përmban afatet e zbatimit të Marrëveshjes bazë, e njohur si Plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit ka reaguar Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Europian (EEAS), i cili ka publikuar një deklaratë të Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili është shprehur i pakënaqur me atë çfarë ka ndodhur brenda një viti.

“Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur përparim shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje” – citohet të ketë thënë Borrell.

Tutje është thënë se Marrëveshja bazë dhe aneksi i zbatimit të saj u arritën pas disa muaj negociatash intensive nën lehtësimin e Bashkimit Europian për të ndihmuar palët të bëjnë një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve.

“Në kohën e një lufte të paprecedentë në shkallë të plotë në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ishte një arritje historike. Për herë të parë gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja, palët ranë dakord për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Europian” – ka theksuar shefi i diplomacisë së BE-së.

Sipas komunikatës, BE ka rikujtuar vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar.

Gjithashtu u tha se çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin europian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm.

“Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – europiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit” – citohet të ketë deklaruar Borrell.

Josep Borrell thekson se pret që liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership, duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme.

“Është një mundësi që nuk duhet ta humbasin” – ka shtuar ai.

Gjithashtu thuhet se Bashkimi Europian vazhdon të jetë i gatshëm për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por sipas komunikatës, janë vendet ato që duhet t’i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara.

(Ky artikull është edituar, me ç’rast aty ku ishte EEAS është zëvendësuar me Josep Borrell. Koha e editimit: 17.03.2024, ora 19:20)