Reshjet e bores

Borë dhe acar, në javën e ardhshme pritet ulje e temperaturave

Nga e hëna e javës së ardhshme vendi pritet të përjetojë temperatura të ulëta deri në -8 gradë Celsius.

Sipas një njoftimi të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), zona e gadishullit ballkanik do të ndikohet nga devijimi stratosferik që ka prekur vendet nordike.

“Devijimi stratosferik që tashmë ka ndodhur dhe ka afektuar vendet nordike të cilat po përjetojnë temperatura të ulëta madje deri -43°C, nga e hëna e javës së ardhshme për disa ditë me radhë pritet të shtrihet edhe në zonat e gadishullit ballkanik, duke sjellur edhe shtresa bore të cekëta të cilat do të mbulojnë edhe zonat urbane. Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në -8°C, ndërsa ato maksimale deri në -1°C”- thuhet në njoftim.

Tutje, ASHNA thekson se erërat e furishme veri – verilindore me shpejtësi deri në 20m/s, do të “shkaktojnë ndjesinë e një acari të vërtetë, tipik për muajin janar, duke rezultuar me vështirësi në zhvillimin e aktiviteteve normale jetësore të qytetarëve”.

Të ftohtit ekstrem dhe stuhitë e borës e kanë ndërprerë transportin dhe i kanë mbyllur shkollat në Skandinavi, ndërkohë që erërat e forta dhe shirat e dendur në Evropën Perëndimore kanë shkaktuar përmbytje dhe të paktën një vdekje.

Temperaturat nën -40 gradë Celcius, i ftohti ekstrem dhe stuhitë e borës në Skandinavi