Temperaturat nën -40 gradë Celcius, i ftohti ekstrem dhe stuhitë e borës në Skandinavi 

Të ftohtit ekstrem dhe stuhitë e borës e kanë ndërprerë transportin dhe i kanë mbyllur shkollat në Skandinavi, ndërkohë që erërat e forta dhe shirat e dendur në Evropën Perëndimore kanë shkaktuar përmbytje dhe të paktën një vdekje.

Temperaturat kanë rënë nën -40 gradë Celsius në rajonin nordik për të dytën ditë radhazi të mërkurën. Në Kvikkjokk-Årrenjarka në Laplandën suedeze, merkuri ra në -43.6C, temperatura më e ulët e janarit e regjistruar në Suedi në 25 vjet, njoftoi agjencia suedeze e lajmeve TT.

Temperaturat jashtëzakonisht të ftohta, bora dhe erërat e forta e penguan transportin në të gjithë rajonin nordik, me disa ura të mbyllura dhe disa shërbime të trenave dhe trageteve të pezulluara. Disa shkolla në Skandinavi u mbyllën po ashtu.

Policia në pjesën më të madhe të Danimarkës u bëri thirrje shoferëve t’i shmangin udhëtimet e panevojshme pasi era dhe bora goditën pjesët veriore dhe perëndimore të vendit.

Vala e ajrit të ftohtë nga Siberia dhe rajoni i Arktikut e ka përfshirë gjithashtu Rusinë perëndimore, me temperaturat në Moskë dhe zona të tjera që kanë rënë në -30C, shumë nën temperaturën mesatare për fillimin e janarit.

Zyrtarët në Moskë, Shën Petersburg dhe zona të tjera kanë lëshuar paralajmërime ngjyrë portokalli të motit, duke i paralajmëruar banorët kundër rreziqeve të mundshme shëndetësore.

Kushtet e buta, por të lagështa dhe me erë mbizotëronin më në jug, ku një stuhi ka bërë kërdi në pjesë të Evropës Perëndimore.

Në Britani, një shofer humbi jetën pasi një pemë ra mbi automjetin e tij në Anglinë perëndimore.  

Në Francë, shirat e dendur kanë goditur rajonet veriore Pas-de-Calais dhe Nord që nga e diela, duke detyruar evakuimin e rreth 200 njerëzve dhe ndërprerjen e energjisë për 10,000 familje, sipas autoriteteve lokale.

Shërbimi kombëtar i motit francez ka dhënë paralajmërime për përmbytje dhe erë të enjten për disa rajone në të gjithë Francën veriore dhe kufijtë e saj me Belgjikën, Luksemburgun dhe Gjermaninë, me parashikime për më shumë shira së bashku me erëra deri në 100 km/orë.

Pjesë të Gjermanisë po përballesn gjithashtu me përmbytje, të cilat mund të përkeqësohen nga shirat që bien në shtetin veriperëndimor të Saksonisë së Poshtme të prekur më keq./The Guardian