Blerim Syla: U dëshmua, partitë politike s’kanë plane për shëndetësinë

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, në një intervistë për KALLXO.com ka folur rreth plan – programeve të partive politike për shëndetësinë.

I zhgënjyer për mosmarrjen e përgjigjeve nga partitë politike në lidhje me kërkesën e tij për  plan – programet e tyre për shëndetësinë, ai tha se ato plane të cilat kanë qenë të shpërndara nëpër ueb faqet e partive, nuk kanë ndonjë dallim nga planet e vitit 2019.

“Të gjitha këto argumente po i japi nëse asnjëri nuk iu ka qasë shëndetësisë seriozisht edhe pse ka qenë në prioritet, nëse nuk janë në gjendje të rritin buxhetin e shëndetësisë në bazë të bruto – prodhimit, nëse nuk tregojnë një plan konkret për vaksinimin apo menaxhimin e pandemisë, nuk janë në gjendje të tregojnë një plan konkret se si do të vihet deri tek rritja e pagave, atëherë vijmë në një konkluzion se partitë politike sa i përket shëndetësisë kanë bërë copy paste të programit të vjetër”, u shpreh ai.

Syla thotë se asnjëra nga partitë politike nuk do të mund të realizojnë premtimin për sigurimet shëndetësore dhe se një gjë e tillë duhet të largohet nga premtimet sepse partitë nuk kanë plan konkret.

Sipas tij, ligji i shëndetësisë është skandaloz pasi nuk e definon qartë shëndetësinë.

Për sa i përket vaksinimit të 1 milion banorëve me vaksinën anti-COVID, Syla thotë se është skeptik.

“A kanë plan konkret se si do të bëhet vaksinimi i popullatës?. Kanë dhënë disa premtime që janë të pambulueshme. Kemi parti që thotë unë për 6 muaj do t’i vaksinoj 1 milion banorë e që është e pamundur. Apo dikush që ka thënë në gusht do ta përfundojmë pandeminë, apo edhe kur thonë se do t’i rritin pagat për sektorin shëndetësor”, tha ai.

“Po e marr shembull një parti e cila ka thënë se i kam siguruar vaksinat dhe kushtojnë 40 milion euro në bazë të shkafit po kushtojnë ato 40 milion euro, secili ligj e ka koston e vet financiare”, shtoi tutje Syla.

Tutje ai thotë se furnizimi me vaksinat kundër coronavirusit është ndihmë nga kompania COVAX dhe se Qeveria nuk ka harxhuar buxhet për këtë.

“Nuk do të doja të bij në provokime partive politike, por kemi premtime se do të vijnë 100 mijë vaksina apo 200 mijë vaksina në fund të shkurtit por këto vaksina janë projekt i COVAX-it. Nuk kemi asgjë konkrete që neve do na siguronte. Ne nuk kemi paguar asnjë cent e pa pagesë nuk mund të marrim vaksina, andaj janë të paqëndrueshme këto se ne mund të përfundojmë pandeminë deri në fund të këtij viti”, tregon kryetari i Sindikatës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ditë më parë në një tubim në Podujevë tha se në Kosovë nuk ka mjek të papunë, por një gjë të tillë e demanton kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë. Ai thotë se në Kosovë ka shumë mjekë të papunë.

“Mjek të papunë ka në Kosovë, ka edhe infermier të papunë që kanë diploma”, potencoi ai.

Kosova që nga 13 marsi i vitit të kaluar është duke luftuar me pandeminë e coronavirusit dhe deri më tani janë infektuar mbi 63 persona si dhe 1.528 kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Edhe pse Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë marrë masa për parandalim të përhapjes së infeksionit një gjë e tillë nuk është parë duke u respektuar nga vetë ato dy institucione.

Në këtë kohë fushate partitë politike në vend në përjashtim të partisë FJALA nuk kanë respektuar masat anti- COVID pasi që në tubimet e tyre janë parë me qindra qytetarë duke mos respektuar mbajtjen e distancës dhe vendosjen e maskave, pothuajse e njëjta gjë është parë edhe në IKShPK, në pjesën ku merren mostrat dhe rezultatet për COVID- 19.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në muajin mars të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.