Bislimi takon zyrtarin e BE-së Makovec, e njoftoi 'hollësisht' për sulmin terrorist në Banjskë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur sot në takim zëvendësdrejtorin për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE -së, Marko Makovec.

Zyra e zëvendëskryeministrit ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi zëvendës drejtorin e EEAS-it, Makovec shprehu ngushëllimet e tij për vrasjen me 24 shtator të Rreshterit të Policisë së Kosovës. Njëkohësisht Makovec vlerësoi profesionalizmin e menaxhimit të situatës nga Policia e Kosovës.

“U diskutua më hollësisht rreth këtij agresioni terrorist, paramilitar e kriminal, ku zëvendëskryeministri Bislimi e informoi z. Makovec rreth detajeve të këtij operacioni që shpërfaqin objektivat e Serbisë me synim në destabilizimin e rajonit”- thuhet në njoftim.

Gjithashtu, siaps njoftimit në takim u bisedua dhe mbi pritshmëritë në kuadër të agjendës së integrimeve evropiane.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se Kosova vlerëson iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim.

Po ashtu thuhet në njoftim, gjatë takimit u tha dhe se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave.

Më 24 shtator, një grup serb i armatosur kreu sulm terrorist në drejtim të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjes me armë zjarri mes terroristëve dhe policisë, u vranë edhe tre sulmues.