Bislimi takon komisionerin Varhelyi, diskutojnë për aplikimin për BE

Komisioneri i Bashkimit Evropain për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka njoftuar se sot është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës për dialog Besnik Bislimi.

Varhelyi përmes një postimi në twitter tha që në këtë takim kanë diskutuar për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për t`u anëtarësuar në Bashkim Evropian.

“Aplikimi i afërt i Kosovës për të filluar procesin e anëtarësimit në BE ishte tema e takimit”- ka shkruar ai.

Zëvendëskryeministri për dialog dhe integrime, Besnik Bislimi ka udhëtuar dje për në Bruksel.

Sipas komunikatës së qeverisë, kjo vizitë do të shërbejë për informimin dhe koordinimin me partnerët evropianë, në tri institucionet kryesore të BE-së, sa i përket aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Qeveria e Kosovës e ka në plan që deri në fund të këtij viti të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bislimi ditë më parë tha se janë duke u koordinuar me presidencën çeke për datën, duke u shprehur se mesi u muajit dhjetor mund të jetë koha kur dorëzohet aplikimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi udhëton për në Bruksel