Bislimi: Propozimi për njohjen e pasaportave ilegale KU të lëshuara nga Serbia dëmton rëndë dialogun

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi,  ka zhvilluar takim në Vjenë me emisarin e Bashkimin Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi thotë se me Lajçakun ka diskutuar për çështje të lidhura me dialogun, duke theksuar se është ngritur edhe çështja e pasaportave të lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë në Kosovë.

“U takuam sot në Vjenë me Emisarin Lajçak për të diskutuar çështje të lidhura me dialogun. U fol për nevojën e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energjinë dhe çështjet në lidhje me lirinë e lëvizjes, në letrën e Beogradit për tërheqje nga marrëveshja”- ka shkruar Bislimi në platformën X.

Bislimi thotë se propozimi i heqjes së vizave për këto pasaporta ndikon negativisht në procesin integrues dhe dëmton rëndë dialogun.

“U ngrit edhe çështja në lidhje me urgjencën për zbatim të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazike. Theksova se shtyrja para e propozimit për njohjen e pasaportave të paligjshme KU të lëshuara nga Serbia, ndikon negativisht në procesin integrues dhe dëmton rëndë dialogun”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.

Edhe emisari i BE-së ka shkruar në lidhje me takimin me zëvendëskryeministrin Bislimi.

Lajçak tha se me Bislimin ka diskutuar gjerësisht rreth temave të dialogut, duke theksuar se të dy janë dakorduar që zbatimi i shpejtë i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është urgjent.

Komisioni Europian (KE) ka thënë të shtunën se pret që në procesin e përbashkët ndërinstitucional në Bashkim Europian (BE) të miratohet kërkesa e tij që liberalizimi i vizave të vlejë edhe për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

Ky propozim është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës, e cila u është drejtuar KE-së dhe vendeve anëtare të BE-së me argumente kundër një vendimi të tillë.

Në prill të këtij viti, Komisioni Europian kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës, dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e MPB-së të Serbisë.

Pas tetë muajsh, Komisioni Europian me propozimin e ri bie në kundërshtim me veten duke thënë se nuk ekziston asnjë arsye që serbët e Kosovës me këto pasaporta të mos mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

Lajçak takohet me Bislimin: Zbatimi i shpejtë i marrëveshjes për normalizim me Serbinë është urgjent

Viza me pasaportë ilegale trazon ujërat