Lajçak takohet me Bislimin: Zbatimi i shpejtë i marrëveshjes për normalizim me Serbinë është urgjent

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, para se të udhëtojë në Davos të Zvicrës, është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin.

Lajçak tha se me Bislimin ka diskutuar gjerësisht rreth temave të dialogut, duke theksuar se të dy janë dakorduar që zbatimi i shpejtë i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është urgjent.

“Përpara se të shkoj në Davos, takova zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, për të diskutuar gjerësisht rreth temave të dialogut dhe pritjeve për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në periudhën e ardhshme. Ne ramë dakord që zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit është urgjent”- ka shkruar Lajçak në platformën X.

Në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik që do të mbahet në Davos të Zvicrës emisari Lajçak do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, konfirmoi në një bisedë me KALLXO.com se Lajçak do të marrë pjesë në forum. Ai është paraparë të zhvillojë takim me kryeministrin Kurti dhe një tjetër takim me presidentin Vuçiq.

“Ndër partnerët e tjerë ai është paraparë të zhvillojë një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës Kurti si dhe një takim bilateral me presidentin e Serbisë Vuçiq. Këto do të jenë dy takime të ndara dhe jo të përbashkëta”- tha Stano për KALLXO.com.

Stano theksoi se në Davos nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.