Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri e quan “festë” shkuarjen në zgjedhje

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përfunduar takimin me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamnetare.

Tahiri e quajti “festë” shkuarjen në zgjedhje të reja, pasi, sipas tij, vendimi transferohet te sovrani.

“Diskutuam për potencialisht kohën optimale kushtetuese që këto zgjedhje të ndodhin. Ajo që dua të ju them qytetarëve është se në çfarëdo situate kur vendimi transferohet te sovrani ajo është një festë për të gjithë ne. Në këtë festë jam i bindur që do ta kalojmë mirë dhe suksesshëm. Jam i bindur se do ta kalojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministri Tahiri tha se tashmë të gjithë e kanë një qartësi për situatën politike në vend.

“Të gjithë ne tashmë e kemi një qartësi. Kosovë urime zgjedhjet, dhe shihemi pas zgjedhjeve!”, shtoi ai.

Mbrëmjen e së hënës, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim rreth ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti. Kushtetuesja ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.

Kurse, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka filluar të martën konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti.