Sali Berisha dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Berisha premton hakmarrje ndërsa gjen mbështetje të paktë mes demokratëve

Themeluesi i PD-së i përjashtuar nga grupi parlamentar i partisë së vet kërcënoi se do të sulmojë pasardhësin e tij Lulzim Basha por simpatia që ai gjeti mes zyrtarëve të PD-së u duk e vakët. Amerikanët ofruan mbështetje për Bashën pas vendimit.

Ish-kryetari i demokratëve Sali Berisha kërcënoi të premten se do të luftojë kryetarin aktual Lulzim Basha brenda strukturave të Partisë Demokratike dhe e akuzoi atë se ka bërë marrëveshje dhe është shitur te kryeministri Edi Rama, por refuzoi të thotë nëse do të synojë rrëzimin e Bashës nga posti i kryetarit.

Berisha gjeti pak simpati në rradhët e deputetëve demokratë apo zyrtarëve të tjerë të kësaj partie pas vendimit për përjashtim. Ai u brohorit nga një numër i vogël mbështetësish ndërsa politikanët drejtues të PD-së zgjodhën të heshtin.Basha, 47 vjeç, i cili erdhi në politikë si i përzgjedhur i Berishës në vitin 2005 dhe u bë kryetar i PD-së me mbështetjen e tij më 2013, shpalli në mënyrë të papritur të enjten në darkë përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së për shkak se ky i fundit është emërtuar si i korruptuar nga Departamenti i Shtetit. Përgjatë orëve të pasuan, zyrtarët e tjerë të PD-së, përfshirë deputetët e saj, preferuan të heshtin dhe të mos komentojnë për vendimin ndërsa Berisha gjeti simpati nga  një numër i vogël ish-zyrtarësh si dhe disa gazetarë mbështetës të opozitës.

Berisha shijoi çaste popullariteti në Facebook, ku faqja e tij u bë “popular noë” ndërsa rreth 50 mbështetës e brohoritën atë në çastin kur hyri në ndërtesën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Ai foli për mediat para seancës duke shpallur se do të luftojë Bashën.

“Ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha,” deklaroi Berisha duke shtuar se ajo marrëveshje “duhet çmontuar një minutë e më parë”. Ai gjithsesi nuk iu përgjigj një pyetjeje të drejtpërdrejtë nëse do të përpiqet të rrëzojë Bashën si kryetar i PD-së.

“Do të ndërmarr çdo nisëm ligjore apo statutore, brenda Partisë Demokratike për rikthimin e saj në piedestalin që meriton,” tha ai.

Por nëse ai do të mund të shkaktojë trazira brenda ish-partisë së tij, kjo mbetet për t’u parë. Tetë vjet pasi u largua si kryetar, strukturat drejtuese të kësaj partie kanë ndryshuar shpesh ndërsa anëtarët e kryesisë [link] apo drejtuesit e strukturave të ndryshme zgjodhën të heshtin, pa e mbështetur publikisht Bashën dhe pa e kritikuar atë.

Bujar Nishani, ish-president i zgjedhur nga Berisha, është një nga politikanët e paktë demokratë që foli publikisht kundër Bashës.

Berisha u ankua gjithashtu për shkelje të të drejtave të tij brenda Partisë Demokratike, duke pretenduar se ajo është një parti e ligjshmërisë dhe e të drejtave të njeriut.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila kishte kërkuar më herët distancim të PD-së nga Berisha, e përshëndeti vendimin.

“Vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt,” shkroi ambasada në një njoftim për shtyp.

Të premten Kuvendi i Shqipërisë u mblodh për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Socialistja Luljeta Bozo, 79 vjeç, hapi punimet si deputetja më e moshuar.

Gjithsesi, përjashtimi i Berishës nga grupi i PD nuk ishte ndodhia e vetme. Që nga zgjedhjet e kaluara, dy deputetë socialistë si dhe kreu de facto i PSD-së, Tom Doshi, kanë dhënë dorëheqjen nga mandatet e fituara me shumë mund pa dhënë shpjegime se pse. Edhe një deputet demokrat, Mark Marku, dha dorëheqjen. Ky i fundit deklaroi se nuk sheh kuptim të jetë deputet i PD-së pasi sipas tij, kjo parti i shërben vetëm kryetarit dhe ish-kryetarit Sali Berisha./Reporter.al