BE komenton hapjen e zyrës çeke në Jerusalem, pasi kritikoi Kosovën

Një ditë pasi Kosova bëri të ditur se ka hapur zyrtarisht Ambasadën e saj në Jerusalem, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje për këtë vendim.

Megjithëkëtë, blloku evropian nuk veproi njësoj kur Republika e Çekisë vendosi që të hapë zyrën diplomatike në Jerusalem, në kuadër të ambasadës në Izrael.

Në lidhje me mosreagimin ndaj Çekisë dhe kritikat për Kosovën, KALLXO.com i ka dërguar pyetje BE-së.

Në një përgjigje me shkrim, BE nuk ka treguar se pse nuk ka reaguar për vendimin e Republikës së Çekisë.

Blloku evropian është shprehur se të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, si dhe delegacioni i BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv.

“Në lidhje me Republikën Çeke, hapja e asaj që është përshkruar si Zyrë në Jerusalem e Ambasadës në Izrael, ne kujtojmë rezolutën 478 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së  të vitit 1980, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së të tërheqin misionet e tyre diplomatike në Izrael nga Jerusalemi”, thuhet në përgjigjen e tyre me shkrim.

BE tutje thekon se ka përsëritur angazhimin e saj të vendosur për një zgjidhje të negociuar dhe praktike me dy shtete të ndërtuara mbi parametrat e rëna dakord ndërkombëtarisht.

“Në konkluzionet e tij në dhjetor 2017, Këshilli Evropian – në nivelin e Kryetarit të Shtetit dhe Qeverisë – përsëriti se pozicioni i BE mbi Jerusalemin mbetet i pandryshuar. Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare do të vazhdojnë të respektojnë konsensusin ndërkombëtar për Jerusalemin të mishëruar, ndër të tjera, në Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të OKB, përfshirë vendndodhjen e përfaqësive diplomatike derisa të zgjidhet statusi përfundimtar i Jerusalemit”, vijon përgjigjja.

Sipas tyre, pozicioni i kahershëm i BE-së është i qartë: “Duhet gjetur një mënyrë përmes negociatave për të zgjidhur statusin e Jerusalemit si kryeqyteti i ardhshëm i të dy shteteve dhe aspiratat e të dy palëve duhet të përmbushen”.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli dhe hapja e Ambasadës ka qenë pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të ish-presidentit amerikan Donald Trump, më 4 shtator 2020.

Ambasada e Kosovës në Jerusalem, shpërfaqen dallimet mes SHBA-së, BE-së dhe Ligës Arabe