Presidenca: Ambasada e Kosovës në Izrael nuk është hapur me dekret të Vjosa Osmanit

Nga Zyra e U.D Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kanë thënë se hapja e Ambasadës së Kosovës në Izrael nuk është bërë me dekret të Osmanit por me dekret të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Sipas Bekim Kupinës, këshilltari për media i Vjosa Osmanit, dekreti për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael është i muajit tetor të vitit 2020.

“Dekreti me numër 155/2020, i datës 27 tetor 2020 për hapjen e kësaj Ambasade është nënshkruar nga ish-Presidenti, Hashim Thaçi, me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme për hapje të ambasadës me seli në Jerusalem”, theksohet në sqarimin e Kupinës.

Pra, Kupina ka deklaruar se dekreti për hapjen e kësaj Ambasade është përpara se Vjosa Osmani ta marrë detyrën e u.d. Presidentes.

Vjosa Osmani ka marrë postin e U.D Presidentes në nëntor të vitit 2020, pak ditë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e presidentit. Thaçi dha dorëheqje pas ftesës që iu bë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Dje, Ministria e Jashtme dhe e Diasporës ka njoftuar se zyrtarisht është hapur Ambasada e Kosovës në Izrael, me seli në Jerusalem.

Më 4 shtator 2020, është nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë, brenda së cilës është përfshirë hapja e Ambasadës së Kosovës në Izrael dhe njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit.

Hapjen e Ambasadës në Jerusalem e ka kundërshtuar Bashkimi Evropian.