Kosova hapi zyrtarisht ambasadën në Jerusalem

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Jerusalem, bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit.

MPJD ka deklaruar se ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit, Gabriel Ashkenazi bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.

“Bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe Zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jeruzalem”, thuhet në komunikatën e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Kjo ministri ka deklaruar se vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jerusalem.