BE jep detaje për takimin e ekspertëve Kosovë - Serbi

Zyra e Bashkimit Evropian ka dhënë detaje për takimin e pritur të mbahet të këtë të enjte mes ekspertëve të të dyja vendeve i cili pason takimin e nivelit të lartë Hoti – Vuçiq të mbajtur javën e kaluar.

Në një përgjigje për BIRN, zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme dhe çështje të sigurisë, Nabila Massrali ka mbështetur deklaratën e të dërguarit i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.

“Pas takimit të nivelit të lartë të javës së kaluar, të dy udhëheqësit ranë dakord të vazhdojnë të punojnë intensivisht në nivelin e ekspertëve tashmë javën e ardhshme. Kjo do të zhvillohet në Bruksel. Kosova dhe Serbia janë të ftuar të dërgojnë ekspertët e tyre për të ndjekur çështjet e diskutuara tashmë në nivelin e liderëve të enjten e kaluar. Ne nuk do të ndajmë informacione të mëtejshme për një takim në nivelin e ekspertëve”, ka thënë ajo.

Pas 20 muajsh të pezullimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesit e të dyja vendeve u takuan në Bruksel të enjten, për të rifilluar procesin e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Pas takimit kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij proces.

Kurse, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit tha se një nga temat e këtij takimi ka qenë ekonomia dhe të zhdukurit e luftës.

Ndërsa, i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim të muajit shtator.

Ai tha se për këtë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve që kanë pasur të enjten në Bruksel, raportoi REL.

Lajçak, i cili e ka ndërmjetësuar dialogun, konfirmoi se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.