Banorët e dy komunave në Maqedoninë e Veriut sot votojnë për kryetar komune

Banorët e Shtipit dhe Pllasnicës në Maqedoninë e Veriut janë duke votuar për zgjedhjen e kryetarit të komunës. Vendvotimet janë hapur nga ora 07:00 ndërsa do të mbyllen në ora 19:00, raporton Alsat M.

Banorët e Shtipit do të mund të zgjedhin mes pesë kandidatëve, ndërsa banorët e Pllasnicës do të zgjedhin mes dy kandidatëve.

Bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme lokale pasi ish-krerët e komunave kanë marrë detyra të reja në pushtetin ekzekutiv dhe ligjdhënës.

Krerët e komunave do të kenë mandat prej nëntë muajve, respektivisht deri në vjeshtë të vitit 2021 kur edhe pritet të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.

Në Komunën e Shtipit të drejtë vote kanë 41,777 persona. Në Komunën e Pllasnicës të drejtë vote kanë 4,954 persona nga katër fshatra, të cilët mund të votojnë në nëntë vendvotime.