Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bajrami i kërkon Kurtit që arsimin ta ketë prioritet

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami në fjalën e saj në seancën plenare të Kuvendit ka deklaruar se arsimi duhet të jetë prioritet për Qeverinë.

Ajo ka thënë se: “Universiteti i Prishtinës është për 3 086 pozita më lartë në treguesin e ekselencës, i cili i rangon universitetet duke matur numrin e punimeve shkencore në top 10% më të cituarat në 27 disiplina shkencore”.

Postimi i plotë i deputetes Bajrami:

Çështja që sot ngrita në Kuvend  ka të bëj me Ministrinë e Arsimit

Vetëm para një jave debatuam për arsimin në kohë pandemie dhe të gjithë u pajtuam se gjendja nuk është aspak e mirë. Prandaj, edhe kërkuam që arsimi të bëhet prioritet pasi kjo Qeveri e ka një mundësi të tillë.

Deputetët e pozitës por edhe Ministrja e Arsimit po vazhdojnë të bëjnë analiza dhe të bëjnë konstatime për gjendjen në arsim.

Mirëpo, ju keni fituar mbi 50% të votave jo veç për të bërë analiza.

Por, jeni në krye të institucioneve të merrni vendime dhe ta bëni ndryshimin e pritur.

Dhe, vendimi i fundit i Ministres së Arsimit ka bërë një ndryshim. Ndryshim për të keq.

  1. Kurti, po ju drejtohem juve si Shef i Ministrave edhe asaj të Arsimit lidhur më një vendim të pamençur, të dëmshëm që degradon edhe më tej arsimin.
  2. Kurti, më 31 maj ministrja Nagavci në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nënshkroi Protokollin e Bashkëpunimit me Kampusin Evropian të Universitetit të Jorkut në Selanik-Kolegjin CITY për ofrimin e 60 bursave për studentë nga Kosova.

Në komunikatë thuhet se përmes këtyre bursave, studentët nga Kosova do të mund të studiojnë në këtë kolegj në Greqi në nivelet bachelor, master dhe MBA. Këto bursa do të fillojnë nga viti akademik 2021/2022 deri në përfundim të programit specifik akademik.

Sipas Protokolit të nënshkruar, 30 bursa do të jepen të plota (100 %) dhe 30 të tjera me tarifë studimi gjysmë të plotë (50%).

Në komunikatë thuhet se bashkëpunimi me Kolegjin CITY ka filluar që nga viti 2009, ndërsa numri i bursave është rritur nga viti në vit.

Çka ka të keqe këtu?

Asgjë, do të thoni shumica nga JU.

Me lejoni të ju informoj se sa isha ministre e arsimit pata ndërprerë këtë program si cili fatmirësisht nuk u vazhdua as nga ministri pasardhës.

Me lejoni gjithashtu të ju informoj se “City College” deri në 2020 ka përdorë emrin Universitetit të Sheffiled-it tani nga viti 2020 paska bërë marrëveshje me Univeristetin e York-ut.

Por Univeristeti Sheffield i Britanisë së Madhe sipas Webometrics renditet i 72-i në rang botëror, ndërsa Universiteti i Sheffield-it në Greqi i 11 979-i.

Pra City College sipas Webometrics është i ranguar në pozitën 11 979-të, derisa Universiteti i Prishtinës është i ranguar në pozitën 3 022-të.  Për pak kontekst, City College është për 8 957 pozita më poshtë se Universiteti i Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës është 4 herë më i mirë se City College në indikatorin e citimeve, duke zënë vendin 1 586, ndërsa City College është i ranguar i 5 963-ti.

Universiteti i Prishtinës është për 3 086 pozita më lartë në treguesin e ekselencës, i cili i rangon universitetet duke matur numrin e punimeve shkencore në top 10% më të cituarat në 27 disiplina shkencore.

City College nuk figuron në QS University Ranking derisa

Universiteti i Prishtinës është në rangun #301-350 që përfshin shumicën e vendeve të Evropës Lindore dhe vendet e Azisë Qendrore.

Pse u bë kjo marrëveshje?

Interes i kujt është ky?

Shihet qartë se nuk është as interes shtetëror as interes i studentëve.

Ju  bëj thirrje Kryeministër që të kërkoni raport nga ministrja dhe kjo marrëveshje ta rishikohet menjëherë dhe të anulohet.

Ky është keqpërdorim i buxhetit dhe po ka qenë i tillë prej viti 2009. PSE e vazhduat JU?

Ndoshta, në këtë biznes të Ministrisë së Arsimit ka vend edhe për hetime nga Prokuroria e Shtetit.

Dhe kur thirreni në ndryshim  –  PO ju them troç se ky ishte një ndryshim për të KEQ.

Ku mbeti parulla “DUAJE TËNDEN”

Na keni kryqëzuar pse përkrahem bizneset vendore për subvencionimin e pagës për një muaj për shkak të rrethanave të shkaktuara nga pandemia.

Ky kolegj a është biznes privat? –  PO, plus është jashtë vendit.

Me lejoni të ju njoftoj se disa herë me mirë se ky koelgj qendrojnë dy institucione private të arsimit të lartë në Kosovë, njëri 4 mijë dhe tjetri 3 mijë pozita të ranguara më mirë. Hyni në Webometrics dhe i shihni vet.

Pse nuk po japni bursa për këto Universitete por po dërgoni mjetet e buxhetit në Greqi.

Rekomandoj që studentët me të mirë të cilët meritojnë shpërblehen me bursa, të jenë të lirë të zgjedhin Universitetin, jo këtë ta imponoj ministrija e MASHTI-it.