Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avokati i Popullit pranon ankesën e Sindikatës së Policisë për dërgimin Ligjit të pagave në Kushtetuese

Sindikata e Policisë së Kosovës i është drejtuar me një shkresë Avokatit të Popullit, përmes të cilës kanë kërkuar që ky i fundit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat, më saktësisht disa nene që kanë të bëjnë me policët e Kosovës.

Institucioni i Avokatit të Popullit në një përgjigje ndaj Sindikatës së Policisë thonë se kanë shqyrtuar ankesën e tyre dhe e ka vendosur si të pranueshme atë.

Në këtë shkresë, kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri thotë se disa nga vërejtjet e tyre sa i përket trajtimit të personelit policor që kanë të bëjnë me: kushtet specifike të punës; kompensimet mbi pagën bazë dhe kategorizimi mbi pagën bazë dhe kategorizimi në kuadër të shtojcave të ligjit në lidhje me grupe dhe klasën, si dhe trajtimi i disa funksioneve mbështetëse unike të Policisë së Kosovës.

Sindikata ka kërkuar nga Avokati i Popullit që të dërgohen në Kushtetuese neni 26 lidhur me rrezikshmërinë në punë, neni për kompensimet si dhe shtojca për nënpunësit e shërbimit civil.

“Për më shumë Ligji për Paga nuk saktësosn se në çfarë përqindje shuma e dedikuar për shtesën e rrezikshmërisë do t’i ndahet Policisë së Kosovës, sepse shuma prej 1% është e paraprarë për të gjitha institucionet e Kosovës. Kjo nuk garanton siguri juiridke të trajtimit me ligj të një të drejte të të punësuarve ashtu siç është kompensimi për jetën dhe shëndetin. Siç shihet kjo shtesë do të jetë sibmolike në raport me rrezikimin e jetës dhe shëndetit të zyrtarëve të PK-së si dhe do të ndikojë negativisht në të ardhurat neto për zyrtarët në disa kategori”, thuhet në këtë letër që Sindikata e Policisë e ka dërguar tek Avokati i Popullit.

Sipas Sindikatës, duke ditur se Policia është ndër institucionet me rrezikshmërinë më të lartë, atëherë kompensimi duhet të vlerësohet më shumë.

“Për të ilustruar më detajisht për çfarë arsye është përcaktuar kjo shtesë flasin të dhënat tona se deri më tani në kryerje të detyrës kanë humbur jetën 22 zyrtarë policorë, kanë vdekur në detyrë 322 zyrtarë, 426 zyrtarë policorë janë lënduar, 237 janë të sëmurë në detyrë, aktualisht me sëmundje të veçanta shëndetësore janë 528 zyrtarë policorë. Deri më tani kemi 2250 zyrtarë policorë të cilët kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia e Kosovës”, thuhet në këtë letër.

Si rezultat, Sindikata ka kërkuar që ky nen të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj në një përgjigje ndaj Sindikatës së Policisë thonë se kanë shqyrtuar ankesën e tyre dhe e ka vendosur si të pranueshme atë për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara.

“Instituti i Avokati i Popullit ka shqyrtuar ankesën tuaj lidhur me pohimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorim nga autoritetet dhe në pajtim të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka vendosur si të pranueshme ankesën për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara”- thuhet në shkresën e Avokatit Popullit drejtuar Sindikatës së Policisë.

Me tej, në shkresë thuhet se Sindikata duhet të tregohet bashkëpunuese dhe t’u përgjigjen kërkesave të Avokatit të Popullit për informacione, dokumente apo sqarime shtesë.

Kërkesë për ta dërguar Ligjin e pagave në Kushtetuese i kanë drejtuar Avokatit të Popullit edhe dy institucionet e drejtësisë, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovë.

Këshilli Gjyqësor kërkon nga Avokati i Popullit ta dërgoj në Kushtetuese ligjin për paga