Avokati Besnik Berisha publikon një kënd tjetër të vrasjes së Agonis Tetajt, pretendon se ishte aksidentale

Avokati i Shaban Gogajt, i akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt në shtator të 2018, Besnik Berisha, ka publikuar një video të momentit të vrasjes.

Berisha ka publikuar video nga një kënd tjetër i momentit të vrasjes, ndryshe nga video tjetër që u publikua të mërkurën.

Avokati Besnik Berisha pretendedon se kjo video dëshmon se vrasja është bërë aksidentalisht.

 

“Pamje të reja sesi reagoi 18-vjeçari Shaban Gogaj pasi aksidentalisht privoi nga jeta shokun dhe kolegun e tij Agonis Tetaj”, ka shkruar avokati.

“Jam kureshtar të di, nëse ekziston qoftë edhe një rast i vetëm, i shkruar, i dëgjuar, apo i dëshmuar, që i përgjigjet, qoftë për së afërmi, aksidentit tragjik të vrasjes së Agonis Tetaj e që provon se dorasi, menjëherë pas kryerjes së vrasjes të pretenduar “me dashje”, reagon kështu siç ka reaguar 18-vjeçari Shaban Gogaj, duke gulçuar, bërtitur, klithur, goditur kokën dhe veten me grushta, pasi kuptoi se miku i tij më i mirë u rrëzua në tokë i gjakosur”, ka shkruar tutje avokati Besnik Berisha.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim sot që ta ndërrojë prokurorin e rastit, Agron Uka.

Lumezi po ashtu ka kërkuar që të iniciohet procedurë disiplinore ndaj prokurorit Agron Uka.

KALLXO.com publikoi të mërkurën një fotografi ku shihet avokati Besnik Berisha bashkë me prokurorin e rastit Agron Uka.

Lumezi kërkon inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorit në rastin e Agonis Tetajt