Lumezi kërkon inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorit në rastin e Agonis Tetajt

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi  ka njoftuar se ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, si autoritet kompetent që të ndërmarr1ë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë  ndaj prokurorit, Agron Uka që kishte përfaqësuar akuzën në lidhje me vrasjen e Agonis Tetajt.

Kjo kërkesë vie pas vendimit për përjashtim të prokurorit Agron Uka nga ndjekja penale e rastit të vrasjes së Agonis Tetaj dhe kalimin e lëndës tek një prokuror tjetër,

“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, si autoritet kompetent që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj prokurorit, Agron Uka”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Pas publikimit të videos së djeshme të vrasjes së Agonis Tetajt dhe pasi që KALLXO.com publikoi një foto ku pretendohet se shihet avokati i familjes Gogaj dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri, Kryeprokurori i Shtetit ri caktoi një prokuror tjetër për ta ndjekur penalisht këtë çështje, e po ashtu përmes një kërkese drejtuar trupit gjykues, kërkoi që të rihapet shqyrtimi gjyqësor dhe të mos merret vendim përfundimtar pa u shqyrtuar të gjitha provat e nevojshme dhe të zbardhet në tërësi e vërteta.

“Prokurori i Shtetit mbetet i angazhuar për zbatimin e ligjshmërisë ndaj secilit individ dhe veprimi të kundërligjshëm pavarësisht funksionit dhe pozitës së tij”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Videoja e vrasjes së Agonis Tetjat në kompaninë “Gogaj AG” u bë dje publike nga prindi i të ndjerit pasi prokurori Agron Uka e lehtësoi veprën nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Isuf Tetaj përmes një shkrimi publik drejtuar kryeprokurorit të shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen  dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë.

Pasi kjo aktakuzë u ndryshua nga prokurori Agron Uka duke e cilësuar këtë vrasje si nga pakujdesia i akuzuari Gogaj e pranoi fajësinë.

Disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt, KALLXO.com ka pranuar një foto ku pretendohet se shihet avokati i familjes Gogaj dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.

Vrasja e Agonis Tetajt, prokurori Uka dhe avokati Berisha flasin për fotografinë ku shihen në kafe