Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit. Foto: Kallxo.com

Lumezi zotohet se nëse vërtetohen shkelje në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, do kërkohet përgjegjësi

Kryeprokurori Lumezi paralajmëron së të gjithë ata që shkelen ligjin në rastin e Agonis Tetajt do të përgjigjen për veprimet e tyre

 

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka njoftuar se pas publikimit të videos dhe reagimeve të djeshme, e dyshimeve për mos trajtim të duhur të rastit të vrasjes së Agonis Tetaj nga ana e prokurorit Agron Uka, ka vendosur që ta përjashtojë të njëjtin nga ndjekja penale e kësaj çështje dhe të njëjtën çështje të ia kalojë një prokurori tjetër.

Kryeprokurori në njoftim ka bërë të ditur edhe se të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre.

“Pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bën përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.

Videoja e vrasjes së Agonis Tetjat në kompaninë “Gogaj AG” u bë dje publike nga prindi i të ndjerit, pasi prokurori Agron Uka e lehtësoi veprën nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Isuf Tetaj përmes një shkrimi publik drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë. Pasi kjo aktakuzë u ndryshua nga prokurori Agron Uka, duke e cilësuar këtë vrasje si nga pakujdesia, i akuzuari Gogaj e pranoi fajësinë.

Disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt, KALLXO.com ka pranuar një fotografi ku pretendohet se shihet avokati i familjes Gogaj dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.

Pas publikimit të fotografisë nga KALLXO.com, ndërrohet prokurori në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt