Avdullah Hoti - LDK

Avdullah Hoti: Tarifa ndaj Serbisë të hiqet sot, menjëherë dhe plotësisht!

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas njoftimit nga kryeministri Albin Kurti se nuk do të hiqet tarifa 100 për qind për lëndën e parë të importuar nga Serbia ashtu siç ai kishte propozuar në fund të shkurtit.

Në një reagim në Facebook, Hoti ka thënë se tarifa duhet të hiqet sot, menjëherë dhe plotësisht.

“Nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë me ShBA”, ka shkruar Avdullah Hoti.

Në një koment të bërë sot në mëngjes, Albin Kurti tha se heqja e tarifës ndaj lëndës së parë të importuar nga Serbia nuk do të ndodhë sepse qëndrimi i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim.

Ky është reagimi i plotë i Avdullah Hotit:

Taksa duhet të hiqet SOT, MENJËHERË, PLOTËSISHT. Nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë me ShBA.

Lojërat politike se a jemi me BE apo me ShBA nuk i shërbejnë forcimit të shtetësisë së Kosovës e të lidhjeve me partnerët tanë.

Vëmendja e jonë duhet të jetë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19, e jo në lojëra politike që qojnë në DISTANCIM të ShBA-së nga Kosova, siç ka nisur me bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovë, të nënshkruara nga Qeveria Mustafa.