Auditori: Zyra e Haradinajt bëri 17 mijë euro pagesa të parregullta për dy dreka zyrtare

Mbi 17 mijë euro kishin kushtuar dy dreka zyrtare të shtruara nga Zyra e Kryeministrit kur qeverinë e udhëhiqte Ramush Haradinaj.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur që dy pagesa të drekave zyrtare të Zyrës së Kryeministrit në vitin 2019, në vlerë të 17 mijë e 150 euro në total përveç faturave me mbishkrimet e shpenzimeve nuk kishte pasur raport pranimi e as listë të pjesëmarrësve apo agjendë të ngjarjeve.

Auditori ka theksuar se në rregullën financiare mbi shpenzimin e parasë publike, të gjitha faturat duhet të pranohen duke zbatuar procedurat e kontrollit të brendshëm për qarkullim të dokumentacionit, me ç`rast duhet të sigurohet raporti i pranimit të mallit/shërbimit nga zyrtari/komisioni i autorizuar.

ZKA thotë se ka testuar dy dreka zyrtare, njëra në vlerë 8 mijë e 400 eurove dhe tjetra në vlerë 8 mijë e 750 eurove dhe përveç faturave me mbishkrimet se shpenzimet kishin të bënin me rastin e organizimit të pritjeve apo koktejeve të caktuara, nuk kishte raport pranimi, e as listë të pjesëmarrësve apo agjendë të bashkangjitur të ngjarjeve.

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i neglizhencës së kabinetit në arsyetimin e shpenzimeve dhe komunikimit jo efektiv mes kabinetit dhe zyrës së financave”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, shpenzimet për dreka zyrtare, pa siguruar dëshmitë e mjaftueshme për qëllimin dhe shfrytëzuesit e shërbimeve, rrit rrezikun që paratë publike të shfrytëzohen për qëllime jo zyrtare.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që Sekretari i Përgjithshëm, në bashkëpunim me kabinetin e Kryeministrit, duhet të sigurojë se faturat e pranuara për dreka zyrtare nga kabineti, të arsyetohen me dëshmi të mjaftueshme, duke përfshirë raportin e pranimit, agjendën e takimit, dhe faturën, me çka arsyetohet se shpenzimet janë bërë për/nga personat e autorizuar dhe për qëllime zyrtare.

“Në të kundërtën, pagesat e tilla duhet të ndërpriten”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2019.

Në nëntor, BIRN fitoi qasjen në faturat e dy qeverive të kaluara, atë të udhëhequr nga Ramush Haradinaj si dhe atë të udhëhequr nga Isa Mustafa. Mustafa, i cili drejtoi qeverinë nga 2014 deri në 2017, nuk lejoi të sigurojë qasje në shpenzimet e qeverisë, apo shpenzimet e qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga Hashim Thaçi, megjithë vendimin e Gjykatës së Apelit që i dha BIRN të drejtën për të pasur qaje në shpenzimet zyrtare të qeverisë.

Pasi Haradinaj erdhi në pushtet në vitin 2017, BIRN fitoi qasje në shpenzimet e Qeverisë Thaçi. Më pas, BIRN fitoi qasje edhe te shpenzimet e kësaj qeverie, si dhe ajo e mëparshme e udhëhequr nga Isa Mustafa.

KALLXO.com ka publikuar artikuj në lidhje me shpenzimet e Haradinaj dhe Mustafës, siç dokumentohet në shpenzimet e tyre zyrtare të cilat mund të gjenden në këtë link.