Auditori: Ministria e Inovacionit dha para për disa biznese që nuk u hapën asnjëherë

Së paku në 10 raste, bizneset e reja që ishin paraparë të hapen pas financimit nga Ministria e Inovacionit, nuk ishin hapur kurrë

Kjo është njëra ndër gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, që ka publikuar raportin e Auditimit për Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në vitin 2019.

Kujtojmë se kjo ministri tashmë është shuar.

Në  raport, Auditori ka gjetur se ministria në fjalë gjatë vitit 2019 kishte realizuar pagesa për financimin e bizneseve Start-Up në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë dhe sipas ligjit, hapja e bizneseve duhej të bëhej brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi i kontratës.

Sipas Auditorit, ministria dhe përfituesit kishin nënshkruar kontratat me 4 shtator 2019 dhe ishin realizuar pagesat në llogaritë private por Auditori ka gjetur se nga 48 mostra të testuara, në 10 raste përfituesit nuk e kishin hapur fare bizneset. Kjo është gjetur në kohën e procesit të auditimit në korrik 2020.

Ministria është arsyetuar se shkaqet e ngecjes së projektit janë si pasojë e riformatimit të Qeverisë dhe mos përcaktimit të qartë të vendimmarrjes në këtë procv@es.

Sipas Auditorit, mos hapja e bizneseve ndikon në mos përmbushjen e objektivave të ministrisë dhe ka ndikim në shpenzimin e mjeteve të pa arsyeshme dhe të pa arsyetuara.

Auditori i ka rekomanduar ministrisë së Inovacionit që duhet të sigurojë një monitorim më adekuat të projektit Start-Up dhe të përcaktohen qartë përgjegjësitë në vendimmarrje, në mënyrë që të përmbyllet procesi i krijimit të bizneseve nga përfituesit, apo në të kundërtën të kthimit të mjeteve.