Foto: Ilustrim

Auditori gjen vonesa rreth një vjet në realizimin e 9 kontratave në Komunën e Vushtrrisë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar vonesa në realizimin e 9 kontratave në Komunën e Vushtrrisë të cilat është dashur të përfundonin në vitin 2019.

“Mirëpo ende nuk janë përmbyllur gjatë kohës që ne ishim në ekzekutim të auditimit (mars 2020)”, thuhet në raportin e auditimit për Komunën e Vushtrrisë.

Në raport thuhet se në asnjërin prej këtyre rasteve nuk kishte kërkesë/aprovim për zgjatjen e afatit për realizimin e kontratave ashtu siç kërkohet nga dosja standarde e tenderit. Po ashtu, Auditori ka theksuar se Komuna e Vushtrrisë nuk ka shqiptuar gjoba për këto vonesa.

Shkaqet e vonesave sipas Auditorit ishin kryesisht për shkak të menaxhimit jo adekuat të komunës lidhur me problemet pronësore, specifikave të punëve, pa përgjegjshmërisë së OE, kushteve atmosferike etj.

“Ndërsa mos ndjekja e procedurave për aprovimin e vonesave të nevojshme, ishte për shkak të mungesës së njohurive të menaxherëve të kontratave lidhur me kërkesat ligjore”, theksohet në raport.

Sipas Auditorit, vonesat në kryerjen e projekteve ndikojnë në rritjen e obligimeve kontraktuale të cilat pastaj bëhen barrë për buxhetin e vitit pasues. Kjo po ashtu ndikon në performancën dhe në arritjen e objektivave të përcaktuara të Komunës.

“Kryetari duhet të siguroj që mos të fillohen projektet pa u siguruar për çështjet e problemeve pronësore, të hartohen specifika adekuate të projekteve dhe se menaxherët e kontratave formalizojnë procesin e shtyrjes së afateve kur ato janë të justifikuara nga ana e Komunës. Po ashtu, duhet të aplikohen penalet për vonesat e pa arsyetuara”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për Xhafer Tahirin, kryetarin e Komunës së Vushtrrisë.