Auditori gjen parregullsi në gradimet e zyrtarëve të Doganës së Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë raportin për Doganën e Kosovës, ku ka gjetur parregullsi në gradimet e zyrtarëve të këtij institucioni.

Auditori ka gjetur se kontratat e punës të oficerëve doganorë nuk janë azhurnuar sipas gradave.

“Gjatë auditimit të pesë mostrave të testuara, kemi vërejtur se kontratat e punës së oficerëve doganorë, nuk janë azhurnuar sipas gradave të përcaktuara me udhëzimin përkatës. Në kontrata nuk ishte specifikuar: pozita e punës, grada, lartësia e pagës, dhe përshkrimi i përgjithshëm i detyrave të punës”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, kjo problematikë mund të rezultojë me cenimin e të drejtave dhe detyrimeve që kanë këta zyrtarë doganorë.

“Mos azhurnimi i kontratave të punës konform udhëzimit në fuqi mund të rezultojë me cenimin e të drejtave dhe detyrimeve të zyrtarëve doganorë dhe rritë rrezikun e aplikimit të parregullt të gradave zyrtare dhe koeficienteve të pagave”, thuhet në mes tjerash në raport.

Auditori i ka rekomanduar drejtorit të Doganës që të marrë të gjitha masat sipas ligjeve në fuqi, në mënyrë që të mënjanohet kjo problematikë.

Po ashtu, Auditori ka gjetur ngecje edhe te rekrutimi i stafit nga Dogana e Kosovës.

Dogana e Kosovës ka 73 pozita të lira, prej tyre 23 janë pozita menaxheriale, të cilat ende nuk janë plotësuar.

Sipas Auditorit, mosplotësimi i pozitave të kërkuara, mund të ndikojë negativisht në realizimin e objektivave të Doganës së Kosovës.

“Mos plotësimi apo vonesat në mbulimin e pozitave të caktuara me kandidatë përkatës, mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e aktiviteteve operacionale dhe arritjen e objektivave të përcaktuara të Doganës”, thuhet tutje në raport.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të ZKA-së për Doganën e Kosovës.