Asnjë kandidate grua nuk ka marr votat e mjaftueshme për kryetare të Komunës

Në garën e 17 tetorit për të udhëhequr njërën nga Komunat e Kosovës, asnjëra nga kandidatet gra, nuk ka arritur votat e nevojshme që të qeverisë në katër vitet e ardhshme. Ndërsa në balotazh, ka arritur të futet vetëm Mimoza Kusari – Lila, nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila do të synoj karrigen e të parës së Gjakovës, kundrejt Ardian Gjinit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në Zgjedhjet Lokale, partitë politike iu kanë besuar kandidaturën mbi 160 burrave, kurse gra kanë qenë vetëm 10.

Mimoza Kusari-Lila, ka fituar 14 mijë e 746  vota ose 37,13% nga totali dhe është radhitur e dyta në sfidën për të drejtuar Gjakovën.

Ndërsa, Ardian Gjini prin në këtë komunë me 18 mijë e 382 vota, gjithsesi jo të mjaftueshme për raunin e parë për të qeverisur edhe në një mandat katër vjeçar. Në këtë komunë, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidatja tjetër grua, Arbënesha Kuqi, nga Partia Demokratike është radhitur e pesta në listë me 1 mijë e 353 vota.

Hyri Dobrunaj konkurrente për kreun e Deçanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbledhur 2 mijë e 740 vota ndërsa Ardiana Qorraj nga Partia Demokratike e Kosovës grumbulloi 292 vota porse që të dyja u skualifikuan nga gara për kreun e komunës, pasi Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës del të jetë votuar nga 9 mijë e 468 votues ose 65.17% nga totali duke evituar nevojën për balotazh.

Në garën për Podujevën Floretë Zejnullahu është renditur e treta në listë me 2 mijë e 422 vota, ndërsa në balotazh do të jenë kandidatët Ekrem Hyseni nga LDK dhe Shpejtim Bulliqi nga LVV.

Në komunën e Drenasit me vota është duke paraprirë Ramiz Lladrovci dhe do shkojë në balotazh me Driton Ajazin nga Demokratët për Drenasin, sipas rezultateve të KQZ-së. Dy kandidatet gra në këtë komunë, Arta Ahmeti-Xhylani nga AAK-ja me 388 vota dhe Anduena Gllareva nga LDK-ja me 209 vota, nuk kanë arritur kuotën e mjaftueshme për të qeverisur me komunën apo edhe për të vijuar garën në balotazh.

Kaltrina Salihu nga LVV, kandidate për Dragash me 2 mijë e 275 vota, Sibel Halimi nga LDK-ja, kandidate për Ferizajn me 4 mijë e 493 vota dhe Leonora Morina – Bunjaku nga PDK me 3 mijë e 227 vota konkurrente në Gjilan, janë renditur të tretat në garën për kryetar.

Sipas KQZ-së në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit ku votuan 799 mijë e 958 votues apo 42,50 % nga totali i votuesvë të regjistruar, në garë për kryetare të komunës, mbetet vetëm Mimoza Kusari – Lila e LVV-së, që sfidon Ardian Gjinin e AAK-së në Gjakovë.

Gratë në garë për kryetare të komunave